Zhupa: Ndryshimi në ligjin për zonat e mbrojtura u hartua për interesa të caktuara

Nga D. V.
450 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Trianë, 05 qershor, Zhurnal.mk – Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, në Ditën Botërore të Mjedisit, tha sot se ka kundërshtuar ndryshimet në ligjin 21/2024 për zonat e mbrojtura, teksa shprehu edhe mbështetjen për protestat qytetare në mbrojtje të Zvërnecit.

Gjatë deklaratës nga kryesia e Kuvendit, Zhupa tha se ligji është kundërshtuar që në momentin e depozitimit në Kuvend, pasi sipas saj është hartuar për interesa të caktuara dhe jo në funksion të interesit publik.

Zhupa u shpreh se opozita kishte paralajmëruar që në fillim se pas këtij ligji fshiheshin projekte konkrete ndërtimi në zonat e mbrojtura.

Deputetja theksoi se kundërshtimi ndaj ligjit nuk është kufizuar vetëm në Kuvend, por është shoqëruar me protesta, tryeza diskutimi dhe angazhim publik në mbrojtje të natyrës shqiptare.

“Që në momentin kur u depozitua në Kuvend, Ligji 21/2024 u kundërshtua prej meje dhe Partisë Demokratike si një ligj me porosi, i hartuar për interesa të caktuara dhe jo për interesin publik. E kemi denoncuar që në ditën e parë se pas tij fshiheshin projekte konkrete ndërtimi në zona të mbrojtura. Kryeministri Edi Rama e konfirmoi publikisht atë që ne kishim paralajmëruar, duke e lidhur ligjin me projekte të veçanta që ai kishte marrë angazhim personal, të cilat ne edhe sot nuk i dimë”, deklaroi Zhupa.

“Përballë këtij ligji nuk kemi zhvilluar vetëm një betejë parlamentare. Kam protestuar krah për krah me shoqërinë civile, kam organizuar tryeza diskutimi në të gjithë Shqipërinë me aktivistë, ekspertë dhe qytetarë, kam ngritur zërin në çdo forum publik dhe institucional për të mbrojtur zonat e mbrojtura. Kam kërkuar llogari edhe përmes interpelancave parlamentare. Por mazhoranca zgjodhi ta trajtojë këtë çështje me papërgjegjshmëri, duke e kaluar debatin në vetëm pak minuta gjatë një seance që tregoi mungesën e plotë të vullnetit për të dëgjuar argumentet dhe shqetësimet e qytetarëve”, tha Zhupa.

Zhupa tha gjithashtu se Partia Demokratike e dërgoi ligjin në Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë me 37 firma deputetësh, por çështja përfundoi me një vendimmarrje të ndarë 4 me 4, duke mos sjellë rrëzimin e ligjit.

Sipas Zhupës, beteja për shfuqizimin e ligjit vijon. Zhupa bëri të ditur se më 14 maj ka depozituar në Kuvend një projektligj për shfuqizimin e Ligjit 21/2024, pas miratimit të një rezolute nga Parlamenti Europian që, sipas saj, kërkon shfuqizimin e këtij ligji në Shqipëri.

Në deklaratën e saj, Zhupa ngriti shqetësime edhe për atë që e cilësoi si fushatë dezinformimi ndaj protestuesve dhe mbrojtësve të mjedisit.

Zhupa deklaroi se pesë kërkesat e protestuesve përputhen me qëndrimin e Partisë Demokratike dhe lidhen me mbrojtjen e zonave të mbrojtura, transparencën, llogaridhënien dhe respektimin e ligjit.

“Natyra nuk ka zë në institucione; ndaj është detyra jonë të flasim dhe të veprojmë në emër të saj”, u shpreh Zhupa, duke shtuar se askush nuk është kundër investimeve kur ato respektojnë ligjin, konsultimin publik, transparencën dhe mbrojtjen e mjedisit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër