Tiranë, 7 shtator, Zhurnal.mk – Prefektura e Shkodrës bëri sot një përditësim rreth situatës së zjarreve në këtë qark.
Prefektura bën me dije se gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit, forcat operacionale kanë vijuar punën në disa vatra aktive, me prioritet mbrojtjen e banesave dhe kufizimin e përhapjes së zjarrit.
Shkodër – Zjarri në Bardhaj–Myselim vijon aktiv në sipërfaqe pyjore. Mjetet zjarrfikëse janë të pozicionuar pranë banesave ne rast riaktivizimi të vatrave.
Prefektura informon se në Bërdicë, ndërhyrja gjatë natës bëri të mundur mbrojtjen e banesave dhe vënien e zjarrit nën kontroll. Është ndërhyrë gjithashtu në një vatër në Shtoj të Ri.
Në Vaun e Dejës, në Mnelë të Madhe zjarri vijon aktiv, ndërsa era po favorizon përhapjen e tij. Forcat janë të angazhuara në terren për mbrojtjen e zonës së banuar. Një tjetër vatër është raportuar në Naraç.
Sipas Prefekturës, situata në Malin e Tërbunit mbetet problematike. Era e fortë po favorizon përhapjen e zjarrit, me një vijë që shtrihet në mbi 10 km në kurorë pyjore. Aktualisht nuk raportohen banesa në rrezik.
“Zjarri në Kulumri është shuar plotësisht dhe zona mbahet nën monitorim. Në Iballë–Fierzë zjarri vijon aktiv në një terren të vështirë dhe të paaksesueshëm, çka kufizon ndërhyrjen nga toka”, thuhet në njoftim.
MZSH, Forcat e Armatosura, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile dhe strukturat vendore të mbrojtjes civile vijojnë operacionet në terren për kufizimin dhe shuarjen e vatrave aktive.
Prefektura e Qarkut Shkodër vijon pa ndërprerje koordinimin me strukturat vendore, AKMC dhe strukturat e mbrojtjes civile.
