Prishtinë, 26 tetor, Zhurnal.mk – Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj, ka thënë se reformat e parapara në Agjendën e Reformave në kuadër të Planit të Rritjes së Bashkimit Evropian do të vazhdojnë të mbesin në agjendën e institucioneve, pavarësisht ngecjeve në zbatimin e tyre dhe mosrealizimit të masave brenda afateve të përcaktuara, raporton Ekonomia Online.
Sipas vlerësimeve të paraqitura nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Kosova ka zbatuar vetëm 18 nga 62 reformat e parapara, ndërsa bllokadat politike kanë ndikuar në ngecjen e procesit dhe rrezikun e humbjes së mbi 40 milionë eurove.
Duke folur në tryezën e rrumbullakët me temën “Rruga e Kosovës drejt BE-së pas ngërçit politik: Shndërrimi i momentit të favorshëm në reforma”, Zulfaj ka thënë se reformat që duhej të përmbusheshin deri më 30 qershor mbesin pjesë e agjendës dhe se shumica e tyre janë planifikuar të zbatohen gjatë këtij viti.
“Ne tashmë e kemi thënë disa herë që reformat nuk humben, ne jemi në një proces të reformave, titulli është “Agjenda e reformave”, sigurisht është keq kur mjetet nuk arrijnë të fitohen në kohë, kjo është çështje edhe e afateve, por të gjitha reformat të cilat kanë qenë të parapara për afatin e 30 qershorit ato janë prapë në agjendën tonë të reformave, shumica që zbatohen këtë vit. Pra, asnjë reformë nuk do të mbetet mbrapa, pra kur jemi tek procesi i reformues, është keq ngecja por sot kemi kohë të diskutojmë”, tha ai.
Zulfaj ka theksuar se Plani i Rritjes për Kosovën përfshin 111 hapa reformash në pesë fusha, ndërsa vendi mund të përfitojë deri në 882 milionë euro, prej të cilave një e treta janë grante dhe dy të tretat kredi.
“Kritika e mbështetur në fakte e ndihmon punën tonë dhe i përmirëson institucionet. Roli juaj është tejet i rëndësishëm, jo vetëm në kritikën konstruktive, por edhe në informimin e drejtë të opinionit publik. Siç e dini, plani i rritjes me 111 hapa të reformave, të ndarë në 5 fusha, do të sjellë reformë të madhe në shoqëri. Ato synojnë të jetë më të mirë për qytetarët, rritje ekonomike, shërbime publike më të mira, më shumë mundësi për të rinjtë, përkrahje e avancim social, mbrojtje e të drejtave, lirive, dhe etj. Reformat sigurisht lidhen me kufizimin; plani i rritjes i ka 4 shtylla: 2 shtyllat e fundit janë agjenda e reformave dhe incentivat për zbatimin e këtyre reformave. Për 882 milionë euro, sa Kosova mund të përfitojë, 1/3 janë grante dhe 2/3 janë kredi. Rëndësia e tyre nuk është vetëm tek fondet; është tek përmbajtja dhe ndikimi i tyre në jetën e qytetarëve. Këtu po besoj jemi të gjithë në të njëjtën anë, 18 institucione përgjegjëse: ministri dhe institucione të pavarura, duke përfshirë edhe Kuvendin, dhe të gjithë ju si partnerë në këtë proces me qytetarët si përfitues përfundimtarë”, tha ai.
Ai ka theksuar se zbatimi i Agjendës së Reformave kërkon angazhim të institucioneve të ndryshme, duke përfshirë Qeverinë, Kuvendin, institucionet e pavarura, shoqërinë civile dhe mediat.
“Procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian kërkon qasje dhe angazhim gjithë-shoqëror; këtë e kemi thënë disa herë, duke përfshirë edhe shoqërinë civile, por pushtetet janë të ndara, qeveria është bartëse e procesit, por nuk mund të kryejë punën e drejtësisë, sepse këtë duhet ta bëjë drejtësia. Nuk mund të miratojë ligjet, sepse këtë duhet ta bëjë Kuvendi. Dhe nuk mund të kryejë punën e Agjensioneve të Pavarura. Sigurisht, edhe mediat edhe shoqëria civile pastaj duhet të luajnë rolin e tyre si shtyllë e rëndësishme e jetike për demokracinë, në informim të drejtë të qytetarëve”, tha Zulfaj.
Në tryezën e organizuar nga GLPS-ja u prezantua përditësimi i Agjendës së Reformave të Kosovës për semestrin e tretë. Gjatë diskutimit u theksuan shkalla e ulët e zbatimit të masave dhe koha e kufizuar për përmbushjen e reformave të mbetura.
Sipas vlerësimeve të paraqitura nga GLPS-ja, ngecjet në këtë proces rrezikojnë që Kosova të humbasë mbi 40 milionë euro nga fondet e lidhura me zbatimin e reformave.
