Zyra e Presidentes: BE-ja nuk e ka injoruar ftesën për vëzhgimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

Nga D. V.
549 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 02 qershor, Zhurnal.mk – Zyra e Presidentes ka reaguar ndaj raportimeve të publikuara sot lidhur me vëzhgimin ndërkombëtar të zgjedhjeve parlamentare të 7 qershorit, duke sqaruar se ftesa e dërguar për Bashkimin Evropian nuk është injoruar.

Sipas një komunikate për media, Zyra e Presidentes ka pranuar përgjigje zyrtare nga Bashkimi Evropian, ku thuhet se për shkak të kohës së shkurtër deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja parlamentare, nuk është i mundur dërgimi i një Misioni Vëzhgues të Zgjedhjeve apo i një Misioni të Ekspertëve Zgjedhorë.

“Në të njëjtën përgjigje, BE-ja ka bërë të qartë se po shqyrton dhe koordinon një prani ndërkombëtare në ditën e zgjedhjeve përmes Zyrës së BE-së në Kosovë, shteteve anëtare të BE-së dhe partnerëve të tjerë të pranishëm në vend”, thuhet në komunikatë.

Zyra e Presidentes vlerëson se paraqitja e kësaj çështjeje si “injorim” i kërkesës së ushtrueses së detyrës së Presidentes është e pasaktë dhe nuk pasqyron përmbajtjen e komunikimit zyrtar ndërmjet institucioneve.

“Ftesa e u.d. Presidentes Haxhiu për Bashkimin Evropian është bërë në frymën e transparencës, besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor. Kjo mbetet qasje institucionale e Republikës së Kosovës: zgjedhje të lira, të ndershme, gjithëpërfshirëse dhe të vëzhguara sa më gjerësisht nga partnerët ndërkombëtarë”, theksohet më tej.

Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se mirëpret praninë e Zyrës së BE-së në Kosovë, të shteteve anëtare, partnerëve ndërkombëtarë dhe të gjitha organizatave të akredituara për vëzhgimin e zgjedhjeve, duke ritheksuar se Kosova ka interes që procesi zgjedhor i 7 qershorit të zhvillohet me rregull, transparencë dhe në përputhje me standardet demokratike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër