Tiranë, 1 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama uroi sot 1 Majin, Ditën e Punëtorëve, duke uruar të gjithë qytetarët shqiptarë për këtë ditë simbolike.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama duke vlerësuar përkushtimin e punëtorëve shqiptarë, shkruan se “me zemër e respekt, i uroj çdo shqiptari punëtor punë e ditë të mbarë”.
Ndërkohë, Agjencia për Media dhe Informin, theksoi se “sot, Shqipëria shënon një nivel papunësie prej rreth 8.3%, një shifër e përafërt me mesataren e Bashkimit Evropian, duke reflektuar progresin e bërë në tregun e punës”.
Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve, shënon një moment të rëndësishëm për të vlerësuar kontributin e njerëzve që punojnë në mbarë botën. Në këtë ditë, në shumë vende të botës organizohen marshime dhe aktivitete ku kërkohen paga më të drejta dhe kushte më të mira pune.
Edhe në Shqipëri kjo ditë shënohet me marshime të organizatave të punëtorëve.
1 Maji nuk është vetëm datë simbolike, por edhe një kujtesë për përpjekjet e vazhdueshme drejt punës së denjë. Falë lëvizjeve të punëtorëve ndër vite, janë arritur të drejta thelbësore si paga minimale, kufizimi i orarit të punës, pushimet e paguara dhe mbrojtja në rast sëmundjeje.
