Berisha takim me Plenković: Procesi i integrimit evropian duhet të jetë i bazuar në meritë

Nga D. V.
269 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 1 maj, Zhurnal.mk – Gjatë punimeve në Forumin e International Democrat Union (IDU) në Zagreb, delegacioni i Partisë Demokratike i kryesuar nga kryetari i saj Sali Berisha, zhvilloi takim bilateral me kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenković.

Zyra për Median dhe Komunikimin në PD njoftoi se diskutimet u përqendruan në zhvillimet politike në Shqipëri dhe rajon, si dhe në procesin e integrimit europian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sipas njoftimit u vlerësua veçanërisht përvoja e suksesshme e Kroacisë si një model integrimi i bazuar në meritë dhe në përmbushjen reale të standardeve demokratike.

Në nisje të takimit, Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë, vend mik, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve në rrugën drejt Bashkimit Europian, veçanërisht mbështetjen e Kryeministrit Plenković, njëherazi President i HDZ.

Më tej, sipas njoftimit nga PD, Berisha u ndal mbi situatën në Shqipëri, duke theksuar regresin demokratik dhe tendencat autokratike të qeverisjes; mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme; ndikimin e krimit të organizuar dhe karteleve të drogës në procesin zgjedhor dhe në jetën ekonomike të vendit; nivelet e larta të korrupsionit dhe mungesën e llogaridhënies dhe të checks and balances.

PD njoftoi se të dyja palët ranë dakord që procesi i integrimit europian duhet të jetë i bazuar në meritë dhe në përmbushjen e standardeve demokratike, duke shmangur një qasje të bazuar vetëm në konsiderata gjeostrategjike.

Nga ana e tij, Kryeministri Andrej Plenković rikonfirmoi mbështetjen e Kroacisë për Shqipërinë dhe për procesin e integrimit europian, duke nënvizuar rëndësinë e një procesi të bazuar në meritë.

Në përfundim, palët ranë dakord për forcimin e bashkëpunimit dhe shkëmbimin e eksperiencave, me synim mbështetjen e demokracisë dhe të ardhmes europiane të Shqipërisë dhe rajonit.

Në takim, kryeministri Plenković shoqërohej nga Zdravka Bušić, zëvendëspresidente e HDZ dhe deputete; Andro Krstulović Opara, kryetar i Komisionit të Punëve të Jashtme dhe deputet; Tomislav Leko, zëvendësshef i Zyrës së Kryeministrit; dhe Tea Jerković, këshilltare e Presidentit të HDZ.

Ndërsa Berisha shoqërohej nga kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, deputetët Albana Vokshi dhe Belind Këlliçi, si dhe Sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Enri Çeno.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër