Prishtinë, 7 gusht, Zhurnal.mk – Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar për rezultatet e fazës së parë të sistemit të kamerave të sigurisë në Kryeqytet dhe hapat për zgjerimin e tij.
Sipas Ramës, aktualisht sistemi përfshin 55 lokacione me 165 kamera aktive, prej të cilave 40 janë kamera ANPR për njohjen automatike të targave, me monitorim 24 orë në ditë.
Ai ka bërë të ditur se nga janari deri në fund të korrikut, përmes këtij sistemi janë evidentuar dhe shqiptuar rreth 4 mijë e 400 gjoba për shkelje në trafik.
Rama ka njoftuar se faza e dytë e projektit do të përfshijë zgjerimin në më shumë lokacione, vendosjen e radarëve në zona kritike, video-analitikë dhe teknologji më të avancuar.
Sipas tij, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, synimi është krijimi i një Kryeqyteti më të sigurt dhe me më shumë rend për qytetarët. /Telegrafi/


