Shkup, 30 janar – Nën organizimin e Ministrisë së Shëndetësisë, sot u mbajt konferenca me titull “Partneritet për shëndetësi”, e cila iu kushtua prioriteteve strategjike të sistemit shëndetësor dhe portofolit të projekteve të identifikuara për mbështetje përmes partneriteteve. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të sektorit të biznesit, kompani të huaja dhe organizata ndërkombëtare, si dhe ambasadorë dhe përfaqësues të trupit diplomatik, njofton Ministria e Shëndetësisë.
“Mbështetja nga aktorët shoqërisht të përgjegjshëm ka rëndësi të madhe për përparimin e sistemit shëndetësor. Përmes një partneriteti të mirëfilltë mund të arrijmë realizimin e prioriteteve në shëndetësi. Qëllimi ynë është që për herë të parë ta kanalizojmë mbështetjen në mënyrë sistematike dhe ta drejtojmë aty ku është më e nevojshme” tha ministri i Shëndetësisë Azir Aliu.
Ai prezantoi prioritetet strategjike të shëndetësisë për periudhën 2024–2028, duke u ndalur veçanërisht në optimizimin dhe riorganizimin funksional të sistemit shëndetësor, me qëllim sigurimin e një qasjeje të barabartë dhe të balancuar rajonalisht në shërbimet shëndetësore për të gjithë pacientët.

“Qeveria është e përkushtuar në edukimin e vazhdueshëm dhe transferimin e njohurive te personeli mjekësor, përmes angazhimit të ekspertëve të huaj të nivelit të lartë, me synim futjen e metodave të reja diagnostikuese dhe terapeutike. Ai u ndal edhe te strategjia kombëtare për mjekët e rinj, e cila ka për qëllim përmirësimin e kushteve të punës dhe stimulimin financiar, me qëllim parandalimin e largimit të tyre nga vendi”, tha Aliu.
Në periudhën e ardhshme, sipas ministrit, do të punohet intensivisht në: zhvillimin dhe zbatimin e procedurave të standardizuara spitalore për shërbime cilësore dhe të sigurta; krijimin e rrugëve të standardizuara të referimit të pacientëve, për të reduktuar dërgimet e panevojshme nga një nivel në tjetrin të kujdesit shëndetësor; zhvillimin e Sistemit Kombëtar të Paramedikëve, si pjesë e Ndihmës së Shpejtë Mjekësore, me qëllim forcimin e reagimit të sistemit në situata urgjente.
Ministri Aliu gjithashtu theksoi rëndësinë e: udhëzimeve profesionale për praktikimin e mjekësisë së bazuar në prova; avancimit të Sistemit Kombëtar Informativ Shëndetësor në kuadër të digjitalizimit të shëndetësisë; zbatimit të standardeve ndërkombëtare (“shëndetësi pa letra”); dhe krijimit të një shtrese kombëtare interoperabile për e-shëndetësinë.

