Shkup, 5 shkurt – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha në një intervistë për “Alsat-M” ka thënë se do ketë zero tolerancë për të gjithë ndotësit e ajrit, derisa paralajmëron masa konkrete si institucion.
“Nga ajo e cila gjetëm në ministri, ishte një plan 6 vjeçar i miratuar nga qeveria në vitin 2024 që parasheh për çdo vit të ndërmerren masa konkrete që do të ndikojnë në uljen e ndotjes së ajrit në Shkup dhe qytete tjera. Menjëherë pas kësaj realizova takime koordinuese me ekipin tim dhe institucionet përkatëse në kuadër të ministrisë dhe kërkova që dy planet që janë të miratuara të zbatohen në tërësi. Dhe të ndërmerren masa konkrete nga ne dhe institucionet tjera”, ka thënë Hoxha.
Shton se masat do u përmbahen dy planeve, pra atyre ekzistuese dhe do të zbatohen në bazë të ligjeve ekzistuese.
“Ligji i ri që ka të bëjë me kontrollin për industritë hyn në fuqi në vitin 2027, ndërsa është miratuar në vitin 2025 dhe ka dy vite afat për adaptimin e përshtatjes së kushteve që parasheh ligji, ndërsa prej vitit 2027 do të ketë rregulla më rigoroze”, ka nënvizuar Hoxha.
Në Drislla kemi realizuar projekt të suksesshëm derisa me të drejtonte Mexhiti
Hoxha në intervistën për “Alsat-M” ka thënë se në tre vendet e para si ndotës më të mëdhenj në vend janë amvisëritë, pastaj komunikacioni në vendin e dytë dhe industritë në vendin e tretë, gjithnjë sipas hulumtimeve të organizatave ndërkombëtare.
Sipas tij, Drejtoria e inspektoratit në kuadër të Ministrisë në vazhdimësi bën kontrolle ndaj atyre institucioneve apo kompanive që posedojnë leje përkatëse për punë.
Janë realizuar mbi 1.300 kontrolle ndaj kompanive
“Vetëm vitin e kaluar janë realizuar mbi 1.300 kontrolle, prej të cilave 1.100 të rregullta, ndërsa të tjerat janë të jashtëzakonshme me qëllim nëse ndotin apo ajrin. Prej tyre janë shqiptuar edhe dënime përkatëse që parashihen me ligj për ato kompani apo industri përkatëse”, ka thënë Hoxha.
Në pyetjen nëse “Drislla” duhet t’i takojë Qytetit të Shkupit apo Ministrisë së Ekologjisë, ministri Hoxha me përgjigje se ministria ka realizuar projekt të suksesshëm në kohën derisa me të udhëhiqte Mexhiti.
“Në Drislla jemi në fillim të realizimit të projektit në bashkëpunim me Qytetin e Shkupit dhe partnerët ndërkombëtarë me përgatitjen e dokumentacionit përkatës për ndërtimin e Qendrës rajonale e cila është në kuadër të Qytetit të Shkupit. Ministria në Drislla ka realizuar projekt të suksesshëm në kohën kur me ministrinë drejtonte z.Mexhiti për ndërtimin e rrethojës që është projekt i ministrisë, para disa javësh është kompletuar me qëllim mbrojtjen e banorëve apo vendbanimeve që gravitojnë përreth kësaj qendre rajonale”, ka thënë ministri Hoxha.
