Shkup, 5 shkurt – “Pasojnë një periudhë pune, jo zgjedhjesh”, deklaroi kryetari i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, në emisionin Klik Plus në TV21, në pyetjen nëse në vend duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.
“Jam shumë mirë i informuar për atë që ndodhi në takimin e liderëve. A do të ketë sot, nesër zgjedhje parlamentare, për ne është absolutisht e njëjtë. Ne, si subjekt i ri politik, në çdo moment jemi të gatshëm të marrim pjesë në të gjitha zgjedhjet. Këtë e përcakton shumica, dhe ajo i takon partnerit tonë të koalicionit. Pason një periudhë pune, jo zgjedhjesh. Kemi krijuar një zakon të keq, që kur ka zgjedhje, për 2 deri në 4 muaj shteti qëndron në vend. Ja, sapo vij nga një takim me disa prej investitorëve më të mëdhenj në komunën time dhe pikërisht këtë e konstatuam. Vetë investimi po vonohet sepse gjatë periudhës zgjedhore shteti nuk funksiononte”, deklaroi Dimitrievski.
Lidhur me çështjen aktuale të këtyre ditëve, rritjen e pagës minimale, Dimitrievski tha se paga minimale në vend përmban shumë politikë dhe pak thelb.
“Paga minimale në shtet përmban shumë elemente politike dhe shumë pak thelb. Paratë gjithmonë janë të pakta dhe pagat janë të ulëta në Maqedoni, por rritja e pagave nënkupton edhe rritje të çmimeve, veçanërisht te ofruesit e shërbimeve publike. Unë dua që ndërmarrjet e mia publike të kenë paga të larta, por atëherë çmimet e shërbimeve do të jenë më të larta. Këtu ka shumë politikë dhe pak thelb”, tha Dimitrievski.

