Shkup, 6 shkurt, Zhurnal.mk – Raporti i progresit të Komisionit Evropian për vitin 2024 dhe 2025 tregon hapur dhe shumë qartë se çafrë duhet Maqedonia e Veriut të bëjë urgjentisht që të çojë përpara vendin drejt hapjes së kapitujve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Dështimi më i madh, që është i qartë për publikun është pamundësia për të miratuar amendamente kushtetuese për të njohur pakicën bullgare, shkruan “Zhurnal.mk”.
Fatkeqësisht, kryeministri Mickoski ditë më parë në Parlament tha se derisa ai të jetë kryeministër, nuk do të ketë ndryshime kushtetuese me “diktat”, përderisa edhe maqedonasit në Bullgari nuk njihen si pakicë dhe nuk i gëzojnë të drejtat e njëjta dhe pika e dytë është garanca që BE-ja duhet ta sigurojë që Bullgaria nuk do të vendosë kushte të reja.
Megjithatë, kjo nuk është ndër kërkesat e vetme që i kërkon BE-ja që të ndryshohen.
Një pikë e rëndësishme është integriteti gjyqësor dhe presioni politik, ku Raporti i sundimit të ligjit për vitin 2025 nxjerr në pah një perceptim të përhapur të ndërhyrjes politike në gjyqësor. Konkretisht, zbatimi i Strategjisë për Reformën Gjyqësore 2024–2028 arriti vetëm një shkallë përfundimi prej 42.9% në vitin 2024 për shkak të boshllëqeve të financimit dhe koordinimit të dobët.
Pikë e dytë shumë kyçe që vazhdimisht “Zhurnal.mk” e thekson nëpër editorial është përhapja e korrupsionit. Në këtë sferë ekziston korniza ligjore, por ka mungesë të veprimeve të prekshme në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë. Fatkeqësisht, prokurimi publik mbetet shumë i cenueshëm dhe shteti ende nuk ka gjetur një formulë se si mos të keqpërdoren tenderat publik.
Në sferën e reformave në administratën publike, qartë thuhet se ekziston një mbështetje e vazhdueshme në përkatësinë partiake për punësim, e cila vazhdon të dëmtojë efikasitetin administrativ. Megjithatë në këtë pikë nuk ka një formulë të saktë nga BE-ja e cila duhet të tregojë se si të ruhet përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve dhe bashkësive tjera etnike në Maqedoninë e Veriut.
Në rrafshin ekonomik, nuk punohet shumë në inovacione, por kryesisht mjetet që ndahen për këtë temë, ndahen në mënyrë të padrejtë, prandaj investimet në kërkime dhe hulumtime në Maqedoninë e Veriut mbeten kritikisht të ulëta në afërsisht 0.38% të Prodhimit Bruto Vendor.
Formalizimi i ekonomisë informale ka ngecur në vend dhe vlerësimet janë se sektori informal në Maqedoninë e Veriut është nga 20%-40% të Prodhimit Bruto Vendor. Në këtë sferë, deficiti fiskal i ka tejkaluar nivelet e planifikuara në vitin 2024, dhe menaxhimi i shpenzimeve kapitale mbetet ende shumë i dobët. Në Raport thuhet gjithashtu se Maqedonia e Veriut është në një “fazë të hershme” të përgatitjes për lëvizjen e lirë të punëtorëve dhe nuk ka regjistruar “asnjë përparim” në lëvizjen e lirë të mallrave, shkruan “Zhurnal.mk”.
Në aspektin e politikave mjedisore, zbatimi i politikave kryesore klimatike dhe energjetike të planifikuara në Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027 ende nuk është përmbushur.
Mungesa në investime në këtë sferë siç është arritja e objektivave të reduktimit të emetimeve kërkon rreth 35 miliardë euro në investime kapitale kumulative deri në vitin 2050, duke tejkaluar shumë financimin aktual. Vendi ende përballet me nivelet e ndotjes së ajrit dhe ende nuk e ka zbatuar plotësisht Planin e Veprimit të BE-së për Ekonominë Cirkulare.
Temë që preket në ditët e fundit është vjedhja e energjisë elektrike, humbje e konsiderueshme e energjisë elektrike e cila është afërsisht 5% brenda çdo viti.
Problematike janë çështjet që janë të bëjnë në lidhje me lëvizjen “anti-gjinore” dhe luftën e vazhdueshme për barazi gjinore dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Çështjet strukturore si pjesëmarrja e ulët në punë, emigrimi masiv dhe arsimi i ulët janë një hendek i konsiderueshëm në fuqinë punëtore të cilat mbeten të patrajtuara.
“Bullgarët në kushtetutë” mbetet vetëm një alibi për stagnimin e Maqedonisë së Veriut në rrugën drejt BE-së, sepse brenda për brenda raportit të progresit theksohen edhe shumë pika të rëndësishme të cilat kërkojnë të ndryshohen dhe të miratohen, shkruan “Zhurnal.mk”.

