Shkup, 16 shkurt – Një paralajmërim për Padi e dorëzuar në komunën e Çairit ka hapur debat të ri në opinion ndaj kryetarit të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari i cili edhe pse shqiptar dhe avokatin e ka shqiptar, paralajmërimet për Padi i dërgon vetëm në gjuhën maqedone, shkruan Zhurnal.mk.
Sipas Paralajmërimit, Taravari përmes avokatit të tij i drejtohen në gjuhën maqedone dhe kërkon që Mexhiti të tërheqë publikisht deklaratat e bëra më 11 shkurt 2026 në një intervistë për Lajm Tv, ku u përmendën shtatë licenca për kultivimin e kanabisit të dhëna gjatë kohës kur Taravari ka qenë ministër i Shëndetësisë. Në të kundërtën, paralajmërohet inicimi i padisë për shpifje.
Në shkresë thuhet se pretendimet e Mexhitit janë “plotësisht të pavërteta” dhe kërkohet kërkim-falje publike brenda afatit ligjor. Po ashtu theksohet se barra e provës bie mbi deklaruesin.
Megjithatë, vlerësohet se reagimi juridik i Taravarit mund të shihet si përpjekje për të zhvendosur debatin nga thelbi i çështjes tek transparenca rreth dhënies së licencave drejt një përballjeje ligjore. Në vend të një sqarimi publik me dokumente dhe argumente, është zgjedhur rruga e paralajmërimit për padi.
Nga ana tjetër, Izet Mexhiti deri më tani ka qëndruar në qëndrimin se deklaratat e tij janë të bazuara dhe se çështjet që prekin interesin publik duhet të trajtohen me transparencë të plotë. Burime theksojnë se ai nuk ka asgjë për të tërhequr nëse faktet janë të dokumentuara.
Një tjetër element që ka tërhequr vëmendje është fakti se shkresa është përpiluar vetëm në gjuhën maqedonase, ndonëse bëhet fjalë për komunikim ndërmjet figurave politike shqiptare. Kjo ka nxitur reagime në opinion, duke e zhvendosur debatin edhe në dimensionin simbolik e politik.
Nëse çështja përfundon në gjykatë, atëherë procesi pritet të sjellë në dritë dokumentacionin përkatës dhe të sqarojë publikisht pretendimet e ngritura.//Zhurnal.mk

