Shkup, 17 shkurt – Aeroplani qeveritar është përdorur konform rregullave dhe çdo organ kompetent ka të drejtë dhe detyrim të inspektojë dhe kontrollojë dhe ne nuk kemi asgjë për të fshehur, porositi sot Qeveria duke vlerësuar se opozita po përhap hipokrizi dhe sensacionalizëm.
“Publikisht dhe pa ndonjë dilemë theksojmë se aeroplani qeveritar është përdorur ekskluzivisht konform rregullave dhe aktet për përdorimin e tij në përputhje me Rregulloren për kushtet dhe mënyrën e përdorimit të tij. Çdo përdorim është i evidentuar, i dokumentuar dhe i nënshtrohet kontrollit institucional. Asnjë aktivitet nuk është jashtë procedurave të përcaktuara, as nuk ka ndonjë formë keqpërdorimi”, thuhet nga Pres shërbimi qeveritar.
Sipas qeverisë, është veçanërisht simptomatike që opozita me vetëdije injoron dimensionin humanitar dhe shtetëror të përdorimit të avionit në situata të karakterit urgjent. Publiku e di mirë se i njëjti aeroplan u vë në funksion të shpëtimit të jetëve të njerëzve, mes tjerash edhe gjatë transportit dhe koordinimit të aktiviteteve lidhur me të lënduarit nga zjarri tragjik në Koçan.
“Shqetësues është fakti se e njëjta strukturë politike që akuzon sot, në të kaluarën e ka përdorur avionin qeveritar për udhëtime që mbetën thellësisht kontroverse në publik, duke përfshirë edhe fluturimet drejt Nishit, asokohe nga udhëtimet me avionin qeveritar shihnim fotografi dhe deklarata me të cilat manipulohej opinioni”, thuhet në kumtesë.
Qeveria thekson se përpjekjet e sotme për moralizim nga ana e të njëjtëve aktorë paraqesin një shembull klasik të hipokrizisë politike. “Kur ishin në pushtet, ata shkatërruan standardet e llogaridhënies, keqpërdorën burimet zyrtare deri në maksimum dhe kurrë nuk inicuan reforma thelbësore; përkundrazi, pikërisht në periudhën e qeverisjes së tyre, opinioni ishte dëshmitar i keqpërdorimeve të panumërta”, thonë në qeveri.
Shtohet se qeveria mbetet fuqishëm e përkushtuar ndaj parimeve të ligjshmërisë, llogaridhënies dhe transparencës.
“Çdo organ kompetent ka të drejtën dhe detyrimin të kryejë mbikëqyrje dhe kontroll, dhe ne nuk kemi asgjë për të fshehur. Për dallim nga politika e sensacionalizmit dhe aferave të konstruktuara, prioriteti ynë mbeten rezultatet konkrete, mbrojtja e interesit publik dhe avancimi i pozicionit ndërkombëtar të shtetit”, theksohet në komunikatë.
