Shkup, 17 shkurt – Këshilli i prokurorëve publikë e filloi seancën në të cilën duhet t’i shqyrtojë aplikimet dhe të japë mendime për pesë kandidatët për prokuror të ri publik shtetëror.
Këshilli fillimisht e shqyrtoi kandidaturën e ish-kryetarit të Gjykatës Penale, Vladimir Pançevski, duke vendosur njëzëri se ai nuk e plotëson kushtin për stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokuror publik ose gjyqtar në fushën e së drejtës penale.
Në këtë moment, anëtarët e Këshillit po i shqyrtojnë katër kandidaturat e tjera nga u.d. prokurorja publike shtetërore Anita Topolova-Isajlovska, prokurorja Lençe Ristovska, gjyqtari i Gjykatës Penale, Nenad Savevski dhe prokurorja nga Prokuroria e Shkupit, Lidija Raiçeviq.
Procedura për zgjedhjen e prokurorit të ri publik shtetëror filloi me shpalljen e konkursit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut më 12 janar të këtij viti, me afat aplikimi prej 15 ditësh nga dita e publikimit në Gazetën Zyrtare. Kandidatët duhet të kenë stazh pune të pandërprerë prej të paktën 10 vitesh si prokurorë publikë ose gjyqtarë në fushën e së drejtës penale.
Në përputhje me Ligjin për Prokurorinë Publike, kandidaturat që kanë arritur në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë përcjellë te Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e cila më pas kërkon mendim nga Këshilli i prokurorëve publikë për të gjithë kandidatët. Këshilli është i detyruar të dorëzojë mendime të arsyetuara brenda afatit prej 15 ditësh te Qeveria, pas së cilës ajo i propozon Kuvendit njërin nga kandidatët që ka marrë mendim pozitiv.
