Departamenti i Kulturës Shqiptare, obligim kushtetues,  jo lëmoshë!…

nga admin

Barazia kulturore në Maqedoninë e Veriut nuk po cënohet nga rastësia dhe as nga paaftësia administrative. Ajo po minohet në mënyrë sistematike, përmes një arkitekture institucionale të ndërtuar qëllimisht për përjashtim. Ky realitet nuk buron nga mungesa e normave juridike, por nga refuzimi politik për ta zbatuar Kushtetutën si rend detyrues dhe jo si dekor simbolik. Problemi, pra, nuk është teknik. Ai është ideologjik dhe thellësisht strukturor.

Një shtet që e trajton kulturën si instrument balancimi politik, e jo si e drejtë kushtetuese, nuk është shtet multietnik. Ai është një shtet me fasadë multietnike dhe praktikë monoetnike, ku barazia shërben si slogan, ndërsa pabarazia institucionalizohet si normë funksionale. Politika kulturore aktuale nuk dështon aksidentalisht, ajo funksionon saktësisht ashtu siç është dizajnuar: për ta riprodhuar dhe legjitimuar pabarazinë.

Kushtetuta është detyrim, jo fletushkë elektorale

Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut është e qartë në këtë aspekt:

  • Neni 8 e përcakton barazinë, drejtësinë sociale dhe sundimin e së drejtës si vlera themelore të rendit kushtetues;
  • Neni 9 ndalon shprehimisht çdo formë diskriminimi mbi baza etnike;
  • Neni 48 garanton të drejtën e bashkësive për ta ruajtur, shprehur dhe zhvilluar identitetin e tyre kulturor.

Këto nuk janë deklarata programore dhe as pretendime politike. Ato janë norma juridike detyruese.

Edhe Marrëveshja e Ohrit, e inkorporuar në rendin kushtetues dhe e garantuar ndërkombëtarisht, kërkon barazi reale dhe përfaqësim substancial. Megjithatë, në praktikë, ajo është reduktuar në retorikë ceremoniale dhe instrument elektoral. Kur një komunitet që në total me diasporën e vet përbën rreth 31% të popullsisë përjashtohet nga vendimmarrja kulturore për më shumë se tri dekada, nuk kemi krizë dialogu, por një regjim të normalizuar të diskriminimit institucional. Heshtja ndaj këtij realiteti, politike apo diplomatike, nuk është neutralitet, por bashkëfajësi.

Buxheti si mekanizëm përjashtimi

Shteti ndan mbi 70 milionë euro në vit për kulturën, administron më shumë se 300 institucione publike dhe lokale kulturore dhe punëson rreth 4.000–5.000 persona në këtë sektor. Brenda këtij sistemi, kultura shqiptare reduktohet në 5 – 6 institucione dhe rreth 150 – 200 të punësuar.

Ky disproporcion nuk është aksident administrativ. Ai është rezultat i një përjashtimi strukturor të inkorporuar në planifikimin buxhetor, dizajnin institucional dhe politikat e punësimit. Në aspektin fiskal, kemi një paradoks demokratik: shqiptarët dhe diaspora shqiptare janë kontribuues të rëndësishëm në buxhetin shtetëror, ndërsa përfaqësimi i tyre kulturor mbetet margjinal. Kjo është financim pa përfaqësim kulturor, i maskuar me termin tashmë të zbrazët të “multietnicitetit”.

Modeli me tre departamente: minimumi kushtetues i barazisë

Zgjidhja nuk kërkon improvizim politik, por zbatim konsekuent të Kushtetutës. Riorganizimi funksional i Ministrisë së Kulturës në tre departamente autonome përbën minimumin institucional të barazisë:

  • Departamenti i Kulturës Maqedonase
  • Departamenti i Kulturës Shqiptare
  • Departamenti për bashkësitë e tjera etnike

Ky model nuk nënkupton federalizim, autonomi territoriale apo fragmentim shtetëror. Ai mbështetet në parimin e autonomisë kulturore joterritoriale, një standard i njohur dhe i zbatuar në shoqëri pluraliste funksionale.

Funksionimi

Secili departament duhet të ketë:

  • autonomi programore (strategji zhvillimi, prioritete dhe politika kulturore);
  • autonomi profesionale (këshilla ekspertësh, vlerësim të pavarur dhe kritere transparente);
  • përgjegjësi institucionale (llogaridhënie publike).

Financimi

Financimi duhet të mbështetet në parimin kushtetues të proporcionalitetit, duke marrë parasysh:

  • përqindjen e popullsisë,
  • nevojat institucionale,
  • infrastrukturën kulturore ekzistuese,
  • zhvillimin afatgjatë.

Si standard minimal, Departamenti i Kulturës Shqiptare duhet të përfitojë jo më pak se 31% të buxhetit total për kulturë, në përputhje me regjistrimin e fundit të popullsisë. Çdo devijim nga ky standard duhet të arsyetohet publikisht dhe të jetë i verifikueshëm juridikisht.

Ky model redukton arbitraritetin politik, parandalon majorizimin dhe ka efekt të drejtpërdrejtë antikorrupsion, duke çmontuar mekanizmat e kapjes politike të kulturës.

Proporcionaliteti: standard shtetëror, jo negociatë politike

Proporcionaliteti në financim, institucione dhe punësim nuk është çështje kompromisi politik. Ai është detyrim kushtetues. Çdo shmangie nga ky parim përbën shkelje të barazisë dhe delegjitimim të rendit kushtetues.

Elitat dhe bashkëfajësia përmes konformizmit

Përgjegjësia nuk përfundon te shteti. Një pjesë e elitës politike dhe kulturore shqiptare ka pranuar përfshirjen simbolike si zëvendësim të barazisë reale. Kjo nuk është pragmatizëm institucional, por kapitullim moral. Të drejtat kulturore nuk mbrohen me projekte simbolike, por me pushtet institucional dhe arkitekturë të barabartë vendimmarrjeje.

Nga slogane boshe në standard institucional

Kërkesa për Departament të Kulturës Shqiptare nuk është kërkesë etnike. Ajo është një detyrim kushtetues i vonuar. Nëse shteti dështon ta realizojë këtë minimum institucional, problemi nuk qëndron te kultura shqiptare, por te vetë shteti, i cili e zbaton Kushtetutën në mënyrë selektive.

Një Kushtetutë që zbatohet selektivisht pushon së qeni Kushtetutë. Ajo shndërrohet në fasadë politike. Prandaj, Departamenti i Kulturës Shqiptare nuk është koncesion politik, është test kushtetues. Dhe dështimi për ta kaluar këtë test e demaskon shtetin më shumë se çdo kritikë e jashtme.

Azam Dauti
botues

postime të lidhura

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More

Privacy & Cookies Policy