Shkup, 8 qershor, Zhurnal.mk – Bashkimi Evropian së fundmi ka ngritur alarmin se dhënia e shtetësisë dhe pasaportave nga ana e Serbisë qytetarëve rusë është një kërcënim për sigurinë e Europës. Kjo për faktin që rusët me pasaportë serbe mund të udhëtojnë pa viza drejt BE-së, sepse Serbia ka liberalizim të vizave me shtetet e BE-së. Por, përveç kësaj, kërcënimi më i madh është fakti se rusët, tani mund të hyjnë kaq lehtë edhe në Maqedoninë e Veriut dhe të gjitha shtet e Ballkanit. Edhe pse Maqedonia e Veriut bashkë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor i ka vendosur embargo Rusisë, tani ata po hyjnë si shtetas të Serbisë pa asnjë problem, shkruan “Zhurnal.mk”.
BE-ja e shqetësuar me Serbinë!
Edhe pse politika e shtetësisë është nën juridiksionin e Serbisë, numri në rritje i qytetarëve rusë të cilët, duke marrë shtetësinë serbe, marrin hyrje pa viza në Bashkimin Evropian (BE), përbën një sfidë të mundshme sigurie për bllokun, ka vlerësuar Komisioni Evropian (KE).
Dokumenti i fundit i Komisionit Evropian, i cili vlerëson progresin e Serbisë në kapitujt 23 dhe 24 që lidhen me sundimin e ligjit, thotë se numri i shtetësive të dhëna qytetarëve rusë është rritur kohët e fundit.
“Pavarësisht të drejtës sovrane të Serbisë për të vendosur mbi politikat e saj të shtetësisë dhe natyralizimit, marrja e përshpejtuar e udhëtimit pa viza në BE nga qytetarët rusë përmes dhënies së shtetësisë serbe, numri i të cilave është rritur krahasuar me vitet e kaluara, paraqet rreziqe potenciale sigurie për BE-në”, thuhet në dokumentin jo-ligjor të KE-së, të parë nga Radio Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL).
Ky dokument ishte objekt diskutimi në nivelin e diplomatëve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian në fund të majit.
Serbia nuk kërkon viza për qytetarët rusë
Disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian kanë ushtruar presion mbi Komisionin Evropian që të propozojë një ligj që do ta bënte më të lehtë mohimin e vizave turistike për qytetarët rusë, për shkak të pushtimit të Ukrainës nga Moska.
Sipas të dhënave të BE-së, numri i vizave turistike të lëshuara për qytetarët rusë për zonën Shengen u rrit gjatë vitit 2025 në pothuajse 480,000, niveli më i lartë që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar tashmë se Serbia nuk do të vendosë viza për qytetarët rusë.
Sipas kushteve të Planit të Rritjes, Serbia duhet të vendosë viza për të paktën tre vende deri në fund të vitit.
Aktualisht, 12 të ashtuquajtura vende të treta gëzojnë udhëtim pa viza me Serbinë, por jo me BE-në: Armenia, Azerbajxhani, Bahreini, Bjellorusia, Kina, Indonezia, Xhamajka, Kirgistani, Kazakistani, Rusia, Surinami dhe Turqia.
Rusia e konsideron Maqedoninë e Veriut si një vend armiqësor
Zyrtarisht, Rusia e konsideron Maqedoninë e Veriut si një vend armiqësor. Qeveria ruse ka krijuar një listë zyrtare të shteteve që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë, ku përfshihet edhe Maqedonia e Veriut, Shqipëria, Kosova, Mali i Zi dhe thuajse gjitha shtete e Ballkanit Perëndimor.
Maqedonia e Veriut ka mbështetur dhe është harmonizuar plotësisht me politikat e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, duke vendosur sanksione ekonomike dhe diplomatike ndaj Moskës.
Si pasojë e këtyre tensioneve, të dyja vendet kanë dëbuar reciprokisht disa herë diplomatë nga ambasadat përkatëse.
Ndryshimi i marrëdhënieve dhe vendosja e Maqedonisë së Veriut në listën e “vendeve jomiqësore” nga Rusia ka pasur një ndikim të kufizuar por të dukshëm në turizëm, kryesisht për shkak të ndryshimit të flukseve të udhëtarëve dhe masave administrative.
Maqedonia e Veriut ka mbyllur hapësirën e saj ajrore për avionët rusë. Kjo ndaloi fluturimet direkte, duke e bërë udhëtimin e turistëve rusë shumë më të shtrenjtë dhe më të komplikuar.
Që nga viti 2023, Maqedonia e Veriut ka ndërprerë marrëveshjen për lëvizje pa viza me Rusinë. Tani, çdo shtetas rus që dëshiron të vizitojë vendin duhet t’i nënshtrohet një procesi të plotë dhe të rreptë aplikimi për vizë.
Prandaj, dhënia e pasaportave serbe qytetarëve rusë tani përbën rrezik që duhet të ngrejë alarmin edhe te institucionet e sigurisë në Maqedoninë e Veriut dhe shtet e Ballkanit Perëndimor. Nëse BE-ja dhe shtetet e rajonit ua mbyllën derën rusëve, tani Serbia u ka hapur portat që ata të futen pa asnjë problem, shkruan “Zhurnal.mk”.
