Qendra e re Klinike premtimi i vitit 2019 ka arritur në fazën “negociata me pronarin e tokës”

Nga I.A
736 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 9 qershor – Se vendi e kryeqyteti ka nevojë për një Qendër të re Klinike kjo është e padiskutueshme. Zhurnal disa herë ka trajtuar këtë temë për këtë mungesë evidente, media të tjera gjithashtu por ja që bartësve të institucioneve nuk u bëhet vonë që premtimin e tyre ta trajtojnë edhe vetëm si kërkesë mediatike. Premtimi i parë për Qendrën e re Klinike ka ardhur në vitin 2019 nga ish kryeministri, Zoran Zaev, sot 7 vite më vonë akoma po diskutohet për tokën ku do të ndërtohet, shkruan Zhurnal.

Çfarë thotë kryeministri Mickoski për Qendrën e re Klinike?

Qeveria mbetet në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet pranë pishinës në arenën “Boris Trajkovski” dhe se kjo është zgjidhja më e mirë.

“Përfundimisht mbesin në qëndrimin se Spitali Klinik në Shkup duhet të ndërtohet në pllajën përpara pishinës “Boris Trajkovski”. Kjo është tokë në pronësi private. Po negociojmë me pronarin privat dhe duam të bëjmë gjithçka këtu që të mund të lidhet me një tunel nëntokësor me Spitalin aktual “8 Shtatori”. Kemi qendrën me pesë qendra dhe Poliklinikën e Bukureshtit këtu dhe do të jetë një kompleks i plotë, gjithëpërfshirës”, ​​tha kryeministri Hristijan Mickoski në brifingun e djeshëm me gazetarët.

Ai shtoi se me pronarin e kësaj parcele po negociojnë për të bërë një shkëmbim toke me tokë dhe për të parë se sa larg do të shkohet. Deri më tani, siç tha, është i kënaqur me mënyrën se si po shkojnë negociatat.

Mickoski paralajmëroi se po vazhdon edhe ndërtimi i Spitalit Klinik në Shtip, së bashku me fakultetin e mjekësisë dhe konviktin e studentëve, si dhe Spitalin Klinik në Tetovë dhe Qendrën Shëndetësore me veprimtari të zgjeruar në Kërçovë.

Pra, shtatë vite më vonë prej kur është premtuar kjo Qendër e re Klinike kemi arritur në fazën negociuese me pronarin e tokës ku do të ndërtohet ky objekt. LSDM ka nga viti 2019 kur ka premtuar deri vitin 2024 ka qenë në pushtet, por që nuk e ka marr mundin për të lëvizur asgjë në këtë drejtim.

Kronologjia e premtimeve për Qendrën e re Klinike

Premtimi i parë ishte nga ish kryeministri, Zoran Zaev, në vitin 2019. Zaev deklaroi se ndërtimi i Qendrës së re Klinike do të fillonte në vjeshtën e vitit 2019. Për këtë projekt u sigurua edhe një kredi nga Banka Evropiane për Investime. Megjithatë, punimet nuk nisën dhe nuk kanë nisur edhe sot pas shtatë viteve më vonë kur LSDM është në opozitë.

Vitet 2020–2024 janë arsyetuar procedura të bllokuara. Projekti u përmend disa herë në programet qeveritare, por mbeti në fazën e dokumentacionit dhe tenderëve të papërfunduar. Ndërkohë, spitali “8 Shtatori” u përgatit të marrë rol më të madh si qendër rajonale, duke u parë si alternativë për lehtësimin e Qendrës Klinike ekzistuese “Nënë Tereza”.

Në vitin 2025 u bë prezantimi i projektit konceptual. Kompania italiane AREN SRL prezantoi zgjidhjen konceptuale për Qendrën e re Klinike. U paralajmërua që projekti bazë të përfundonte brenda 160 ditëve dhe ndërtimi të fillonte në fillim të vitit 2026, me afat përfundimi trevjeçar.

Sot, në vitin 2026 Kryeministri aktual Hristijan Mickoski konfirmoi se Qendra e re Klinike do të ndërtohet pranë pishinës në arenën “Boris Trajkovski”, e lidhur me tunel nëntokësor me spitalin “8 Shtatori”. Negociatat për tokën private janë ende në proces, ndërsa afatet e fillimit të ndërtimit mbeten të paqarta.

Kujtojmë që, Qendra Klinike ekzistuese “Nënë Tereza” vazhdon të funksionojë me kapacitete të mbingarkuara. Derisa spitali “8 Shtatori” po përgatitet të marrë rol më të madh si qendër rajonale. Premtimi i fundit është që ndërtimi të nisë pas përfundimit të procedurave të shkëmbimit të tokës dhe tenderimit, por pa datë konkrete. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër