Hungaria bllokon kredinë 90 miliardë euro të BE-së për Ukrainën

Nga Xh M

Hungaria njoftoi në mënyrë të papritur se do të bllokojë paketën prej 90 miliardë eurosh (106 miliardë dollarë) të Bashkimit Evropian për Ukrainën, pavarësisht një marrëveshjeje të arritur më parë.

Budapesti po e lidh tani miratimin e saj me rifillimin e furnizimeve me naftë bruto ruse përmes tubacionit “Druzhba”.

“Ne po bllokojmë kredinë 90 miliardë euro të BE-së për Ukrainën derisa të rifillojë tranziti i naftës drejt Hungarisë përmes tubacionit ‘Druzhba’”, shkroi ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto në platformën X.

Sipas autoriteteve ukrainase, rrjedha e naftës përmes tubacionit “Druzhba” është ndërprerë që nga fundi i janarit për shkak të bombardimeve ruse.

Hungaria dhe Sllovakia akuzojnë udhëheqjen ukrainase se po bllokon qëllimisht rifillimin e furnizimeve.

Të dy vendet varen në masë të madhe nga ky tubacion për importet e tyre të naftës.

Kievi ka argumentuar se blerjet e vazhdueshme të naftës dhe gazit rus nga Hungaria dhe Sllovakia ndihmojnë në financimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës.

Szijjarto shkroi se Ukraina po “shantazhon Hungarinë” dhe pretendoi se Kievi po bashkëpunon me opozitën hungareze dhe zyrtarë të BE-së në Bruksel për të rritur çmimet e karburanteve përpara zgjedhjeve të prillit.

Për herë të parë në 16 vjet, kryeministri Viktor Orban përballet me mundësinë e humbjes së zgjedhjeve parlamentare.

Liderët e BE-së ranë dakord në dhjetor të ofrojnë deri në 90 miliardë euro për Ukrainën gjatë dy viteve, një vendim i miratuar javën e kaluar nga Parlamenti Evropian.

Fondet synojnë të mbulojnë nevojat më urgjente financiare të Ukrainës deri ne vitin 2027.

postime të lidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër

Privacy & Cookies Policy