Shkup, 25 shkurt – Më në fund pritet të nisë nga puna grupi punues që do të merret me rregullativën zgjedhore. Sipas informacioneve, për të premten është paralajmëruar mbledhja konstituive e këtij trupi, i cili do të ketë për detyrë harmonizimin e rregullave të reja zgjedhore. Seancën e parë do ta thërrasë ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, ndërsa më pas anëtarët do të përcaktojnë dinamikën dhe ritmin e punës.
Në këtë mënyrë do të operacionalizohet ajo që tashmë është dakorduar mes partive politike. Kryeministri Hristijan Mickoski, pas takimit të fundit të liderëve, paralajmëroi se pret që deri në mesin e vitit të miratohen dispozitat e reja ligjore që do të vlejnë për proceset zgjedhore.
Pas harmonizimit të përbërjes së grupit punues nga partitë e përfaqësuara në Parlament, pritej vetëm caktimi i mbledhjes konstituive. Sipas shkresës që Kuvendi i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë, në grupin punues do të marrin pjesë:
Nga VMRO-DPMNE: Antonio Milloshoski dhe Ivanka Vasilevska;
Nga ZNAM: Pavle Arsoski dhe Daniel Stojçevski;
Nga VLEN: Saranda Imeri dhe Zeqirija Tairi;
Nga LSDM: Oliver Spasovski dhe Jovana Trençevska;
Nga BDI: Arta Bilalli Zendeli dhe Blerim Bexheti;
Nga Levica: Borislav Krmov dhe Rexhep Ismail;
Nga krahu i Aleancës për Shqiptarët i udhëhequr nga Zijadin Sela: Ilire Dauti dhe Elmi Aziri;
Nga krahu i Arben Taravarit: Rijad Shaqiri dhe Halil Snopçe;
Ndërsa nga Partia e Turqve: Bejxhan Iljas.
Ende nuk dihet se kush do të jetë kryetar i grupit punues. Interes për ta drejtuar këtë trup ka shprehur kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me arsyetimin për të përshpejtuar procesin, por nuk përjashtohet që në krye të zgjidhet edhe një përfaqësues nga Ministria e Drejtësisë.
Në takimin e fundit të koordinatorëve të grupeve parlamentare me ministrin e Drejtësisë është konstatuar se, nëse do të ndryshohet më shumë se një e treta e Kodit Zgjedhor, atëherë do të përgatitet një ligj krejtësisht i ri. Në të kundërt, do të bëhen ndryshime dhe plotësime në ligjin ekzistues.
Sa i përket modelit zgjedhor, shumica e partive kanë tejkaluar dilemat dhe janë pajtuar që vendi të kalojë nga gjashtë në një njësi zgjedhore. Megjithatë, mbetet e hapur çështja e pragut zgjedhor për hyrje në Kuvend. Përmendet një prag prej 3 deri në 5 për qind, ndërsa disa parti më të vogla kërkojnë që të mos ketë fare prag, me qëllim që të mundësohet përfaqësim më i gjerë në organin ligjvënës.
Kodi Zgjedhor është pjesë e Agjendës Reformuese dhe konsiderohet një nga prioritetet kyçe politike në periudhën e ardhshme.
