Tetovë, 13 tetor Zhurnal.mk – “Biblioteka e Tetovës, brenda ditësh, pritet të transformohet në bibliotekë universitare. Ky vendim ka ardhur pas përgatitjes së planit dhe strategjisë, si dhe marrjes së mendimit apo pëlqimeve nga të dy universitetet, universiteti i Tetovës dhe universiteti i Evropës Juglindore. Projekti për momentin ndodhet në Qeveri dhe së shpejti pritet edhe të miratohet”
Drejtori i Bibliotekës, Binaz Pajaziti, thotë se, për transformimin e bibliotekës së qytetit në bibliotekë universitare, do të duhet të shtohen jo vetëm titujt shkencorë, por edhe materialet e tjera të nevojshme për studiuesit shkencorë dhe studentët.
“Si nismë e kemi nisur më herrët, dhe i kemi kaluar të gjitha filtrat. Kemi marr mendim për bashkëpunim nga UT, UEJL dhe Biblioteka Amë e Shkupit, ka kaluar gjitha filtrat në kuadër të Ministrisë së kulturës dhe komisioneve përkatëse dhe sipas informatave që kam sot duhet të kalojë edhe filtrin e fundit, vendimin e Qeverisë dhe të kaloj në Bibliotekë Universitare”, deklaroi Binaz Pajaziti, Drejtor i bibliotekës së Tetovës.
Megjithatë, sfidë e bibliotekës edhe më tej mbetet mungesa e hapësirave për zhvillimin e këtij funksioni siç duhet, e sidomos, hapja edhe e një leximoreje për titujt që nuk duhet të dalin jashtë mureve të bibliotekës.
“Në kuptimin klasik leximore, nuk ka, në këto rrethana që jemi në hapësirën e re mund të krijojmë një kënd pune shkencore për studiuesit meqë synojmë bibliotekën universitare për librat e caktuar që nuk jepen jashtë bibliotekës, por kjo do na merr kohë pak për ta krijuar, Tha Binaz Pajaziti, Drejtor i bibliotekës së Tetovës.
Ndryshe, biblioteka e Tetovës për momentin është biblioteka e dytë më e madhe me numër të lexuesve, e që tejkalojnë dhjetë mijë lexues, ndërsa ka një fond prej mbi njëqind mijë tituj.
