Përplasje institucionale: Gashi i përgjigjet Kostadinovskit pas kritikave ndaj Kuvendit

Nga B.M
1,326 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 Mars, Zhurnal.mk – Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në një takimin joformal me gazetarët, i është përgjigjur deklaratave të kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, i cili kritikoi legjislativin për moszbatimin e detyrimeve që dalin nga vendimet e kësaj gjykate.

Gashi theksoi se çdo institucion duhet të përqendrohet në përgjegjësitë e veta dhe të mos ndërhyjë në kompetencat e institucioneve të tjera.

““Secili institucion, veçanërisht një nga më të rëndësishmit, Gjykata Kushtetuese, por edhe Kuvendi, ata për të cilët Kushtetuta përcakton kompetencat qartë duhet ta ushtrojë funksionin e tij në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet. Edhe ne përpiqemi që funksionin tonë ta ushtrojmë në përputhje me Kushtetutën, ligjet dhe Rregulloren, por edhe të gjithë bartësve të funksioneve publike ua sugjeroj të njëjtën, secili të kujdeset për institucionin e tij. Mendoj se më shumë kohë duhet të kalojmë duke u kujdesur për institucionet që drejtojmë sesa të shikojmë oborrin e tjetrit”,” deklaroi Gashi, duke iu përgjigjur kritikave të kreut të Gjykatës Kushtetuese.

Nga ana tjetër, Kostadinovski në një intervistë për podcastin “Ku janë paratë” kritikoi ashpër Kuvendin për, siç tha ai, mosrespektimin e vendimeve dhe afateve të përcaktuara nga Gjykata Kushtetuese.

Ai theksoi se në të ardhmen mund të mos tregojë më të njëjtin nivel tolerance ndaj legjislativit, duke e cilësuar Kuvendin si një institucion që shpesh nuk i përmbush detyrimet kushtetuese.

“Unë nuk jam i sigurt se do të jem më kaq konstruktiv ndaj legjislativit. Në konferencën e fundit vjetore thashë se ‘muaji i mjaltit’ për Kuvendin ka mbaruar. Ne i dhamë tre shanse Kuvendit. Së pari për ligjin për komunikimet elektronike, ku caktuam afat 2-3 muaj, por vendimi nuk u respektua. Pastaj dhamë afat 10 muaj për ndryshimet në Kodin Penal, që të shmangen pasoja të paparashikueshme. A është ky respekt ndaj Gjykatës Kushtetuese? Unë shpesh them se Kuvendi është organ kushtetues i padisiplinuar”, deklaroi Kostadinovski.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese disa herë gjatë vitit të kaluar kishte paralajmëruar Kuvendin për nevojën e miratimit të ndryshimeve në Kodin Penal, duke vendosur edhe afate për këtë proces.

Kostadinovski vitin e kaluar paralajmëroi disa herë dhe caktoi afat që Kuvendi të miratojë ndryshimet në Kodin Penal, por legjislativi nuk respektoi afatet e vendosura, të cilat i kërkoi edhe bashkësia ndërkombëtare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër