Hoxha: Në fazë finale projekti mbi 63 milionë denarë për Haraçinë

Nga B.M
420 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 mars, Zhurnal.mk – Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, dhe kryetari i Haraçinë, Daut Beqiri, konfirmuan progresin e disa projekteve infrastrukturore që synojnë përmirësimin e kushteve mjedisore dhe jetesës në këtë komunë.

Sipas njoftimit pas takimit të punës, në terren aktualisht janë duke u realizuar katër projekte për zgjerimin e rrjetit të kanalizimit dhe rregullimin e shtretërve të lumenjve në Orllancë, Grushinë, Mojancë dhe në vetë Haraçinën. Paralelisht, me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë, po zhvillohet edhe modernizimi i sistemit të furnizimit me ujë, me synim sigurimin e qasjes së qëndrueshme në ujë të pijshëm për qytetarët, transmeton zhurnal.mk.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor bëhet e ditur se përmes thirrjeve të deritanishme janë siguruar rreth 200 milionë denarë për projekte në këtë komunë. Në kuadër të ciklit të parë investues janë përfunduar 12 projekte që përfshijnë kanalizim fekal dhe atmosferik, si dhe rregullimin e shtratit të lumit në Mojancë.

Ndërkohë, një nga projektet më të mëdha – rregullimi i kanalit periferik në Haraçinë – ndodhet në fazën përfundimtare dhe kap vlerën mbi 63 milionë denarë.

Ministri Hoxha theksoi se investimet janë rezultat i bashkëpunimit ndërmjet nivelit qendror dhe atij lokal, duke nënvizuar se fokusi mbetet në mbrojtjen e mjedisit dhe ngritjen e cilësisë së jetesës për banorët.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër