Shkup, 7 prill, Zhurnal.mk – Pas miratimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë nga Qeveria, vijnë reagime të forta nga Bashkimi Demokratik për Integrim.
Bujar Osmani, nënkryetar i BDI-së, e cilëson ligjin si një “ligj karikaturë”, duke kritikuar zëvendësimin e balancuesit, formulë obligative ligjore për garantimin e përfaqësimit të drejtë, me një komision që vetëm një herë në vit do të raportojë për përfaqësimin.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani shkruan: “Vazhdojnë provokimet. Ende pa u tha plaga e gjuhës, të cilën çdo ditë me gisht e me fjalë e gryejnë, ata që kanë urrejtje ndaj gjithçkaje shqipe, sot kanë hapur një plagë të re. Qeveria paska miratuar një ligj karikaturë të Karakamishevës për ‘përfaqësim të drejtë’, ku balancuesi zëvendësohet me një komision i cili një herë në vit do të japë raport. Provokim pas provokimi. Deri kur?”
Nga ana tjetër, Arbër Ademi, sekretar gjeneral i BDI-së, e sheh ligjin si një instrument diskriminimi dhe jo të drejtash etnike:
“Nuk është ligj për përfaqësim, por është ligj për diskriminim. Propozim-ligji i Karakamishevës nuk parasheh kuota etnike, nuk obligon institucionet të identifikojnë qytetarët sipas etnisë për punësim apo avancim dhe nuk ka dispozita sanksionuese. Njëri prej profesorëve shqiptar, që ishte pjesë e grupit punues, hoqi dorë nga ligji. Nuk deshti të bëhet pjesë e një cirku të dirigjuar, që na kthen para vitit 2001.”
Ligji për përfaqësim të drejtë pritet të diskutohet më tej në Kuvend, ndërsa kritikat e BDI-së ngrenë dyshime mbi efektivitetin dhe përfaqësimin real të komuniteteve shqiptare në administratë.
