Mosmarrëveshje mbi përfshirjen e Libanit në armëpushimin SHBA–Iran, Izraeli e përjashton zyrtarisht

Nga D. V.
578 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Izrael, 8 prill, Zhurnal.mk – Përplasje mbi përfshirjen e Libanit në armëpushimin SHBA–Iran, Izraeli e përjashton zyrtarisht

TEL AVIV, 8 prill /ATSH/- Një mosmarrëveshje e qartë ka dalë në pah lidhur me përfshirjen e Libanit në marrëveshjen dyjavore të armëpushimit mes SHBA-së dhe Iranit, duke shtuar pasigurinë mbi zbatimin e saj në terren, sipas BBC.

Irani dhe kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i cili ka ndërmjetësuar negociatat, kanë deklaruar se marrëveshja përfshin edhe Libanin, ku Hezbollahu, i mbështetur nga Teherani, është përfshirë në luftime me Izraelin.

Megjithatë, zyra e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë këtë pretendim, duke deklaruar se armëpushimi “nuk e përfshin Libanin”.

Ky qëndrim është konfirmuar edhe në një deklaratë zyrtare të qeverisë izraelite, e cila mbështet pezullimin e përkohshëm të sulmeve ndaj Iranit, por thekson se operacionet në Liban do të vazhdojnë.

Sipas autoriteteve izraelite, forcat tokësore janë vendosur në jug të Libanit dhe do të mbajnë kontrollin në zonat në jug të lumit Litani derisa të eliminohet çdo kërcënim nga Hezbollahu.

Izraeli ka deklaruar gjithashtu se banorët e zhvendosur nuk do të lejohen të kthehen derisa grupi militant të largohet nga zona.

Situata humanitare në Liban mbetet kritike.

Ministria libaneze e Shëndetësisë raportoi se para shpalljes së armëpushimit, një sulm izraelit në qytetin Sidon shkajtoi të paktën tetë të vrarë dhe 22 të plagosur.

Në total, gjatë më shumë se një muaji konfliktesh, numri i viktimave ka arritur në 1 530, përfshirë 102 gra dhe 130 fëmijë, ndërsa mbi 4 800 persona janë plagosur.

Nga ana tjetër, Hezbollahu ka vijuar të lëshojë raketa drejt territorit izraelit në javët e fundit, duke mbajtur tensionet në nivele të larta.

Në deklaratën e tij, Izraeli theksoi se mbështet vendimin e presidentit Donald Trump për një armëpushim të përkohshëm me Iranin, me kusht që Teherani të hapë menjëherë Ngushticën e Hormuzit dhe të ndalojë të gjitha sulmet ndaj SHBA-së, Izraelit dhe vendeve të tjera në rajon.

Megjithatë, mospërputhjet mbi statusin e Libanit pritet të jenë një nga çështjet kyçe që do të kërkojnë sqarim urgjent në ditët në vijim, ndërsa komuniteti ndërkombëtar ndjek nga afër zhvillimet në një rajon ende shumë të paqëndrueshëm.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër