Kasami: E rëndësishme që Ansambli Muzikor i Tetovës të jetë në shërbim të qytetarëve

Nga D. V.
191 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 16 prill, Zhurnal.mk – Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, ka komentuar zhvillimet e fundit lidhur me të ardhmen e Ansamblit Muzikor në Tetovë, pas publikimit të draft-strategjisë për kulturën 2026–2030 në Maqedoninë e Veriut, e cila parasheh riorganizim të institucioneve kulturore.

Sipas këtij dokumenti, Ansambli Muzikor i Tetovës përmendet si institucion me kapacitete të kufizuara, ndërsa paralajmërohet edhe proces i “racionalizimit”, duke ngritur pikëpyetje për funksionimin e tij të ardhshëm.

I pyetur nga gazetarët, Kasami tha se Ministry of Culture of North Macedonia ka hartuar një plan për funksionalizimin e institucioneve kulturore, duke theksuar se fokusi duhet të jetë në shërbimin ndaj qytetarëve.

“Ne e dimë që Ministria e Kulturës ka bërë plan për funksionalizimin e institucioneve kulturore dhe që ato të jenë në shërbim të kulturës dhe qytetarëve. Ka raport në të cilin parashihet edhe riorganizimi i Ansamblit, së bashku me dhjetëra institucione të tjera”, deklaroi Kasami.

Ai nënvizoi se për komunën më e rëndësishme është që institucioni të vazhdojë të funksionojë dhe të forcohet përmes punësimit të kuadrit profesional.

“Ajo që për ne është me rëndësi është që ai institucion të jetë në funksion dhe shërbim të qytetarëve, duke nisur fillimisht nga punësimi e punëtorëve kulturorë. Po punohet në drejtim të marrjes së pëlqimit për punësimin e tyre. Për ne, prioritet mbetet sigurimi i stafit të ansamblit që do të jetë në shërbim të kulturës tetovare”, shtoi Kasami.

Debati për të ardhmen e Ansamblit Muzikor të Tetovës vjen në kuadër të përgatitjeve për strategjinë e re kombëtare për kulturën, e cila synon riorganizimin dhe rritjen e efikasitetit të institucioneve kulturore në vend.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër