LSDM bënë kallëzim penal ndaj Mickoskit

Nga D. V.
121 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 Prill, Zhurnal.mk – Partia opozitare maqedonase, LSDM, tha sot se ka bërë një kallëzim penal tek Prokuroria Publike kundër kryeministrit Hristijan Mickoski, të cilin ajo e akuzon se ka shkelur kushtetutën, barazinë qyetare dhe rrezikim të sigurisë.

Mickoski ditë më parë tha se “ka një ndjenjë” për gjykime të ardhshme kundër anëtarëve të LSDM-së, pas çka partia opozitare e akuzoi atë se tash ai po e kontrollon gjyqësorin dhe prokurorinë duke pozicionuar njerëz të afërt me të në këto dy struktura.

Njoftimin për kallëzim penal ndaj Mickoskit e bëri në një konferencë për shtyp Sekretari i Përgjithshëm i LSDSM-së Aleksandar Sasha Dimitrijeviq.
“Hristijan Mickoski nuk fshihet më – ai është prokuror, gjykatës, i cili urdhëron paraprakisht gjyqe kundër opozitës dhe disidentëve. Nga pozicioni i Kryeministrit, Mickoski njofton publikisht ndjekje penale, duke synuar njerëz specifikë nga opozita dhe familjet e tyre me akuza të shkruara paraprakisht. Shprehja e tij “Kam një ndjenjë” diktohet nga frika sepse ai e di se do të duhet të përballet me përgjegjësinë,” tha ai.
Anëtari i lartë i partisë opozitare tha se me këso deklarata Mickoski shkaktoi një “skandal me përmasa të papara dhe përfaqëson një kolaps të plotë të rendit ligjor dhe kushtetues, dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi për këtë.”
“Deklarata e Mickoskit është një sinjal se gjyqësori dhe prokuroria janë shndërruar në një mjet për hakmarrje politike dhe përndjekje të disidentëve. Metoda të natyrshme në regjimet autoritare që sistemi demokratik nuk i njeh,” tha ai.

“Prandaj, LSDM sot ngriti padi penale kundër Hristijan Mickoskit për krimet e mëposhtme: Keqpërdorimi i pozitës dhe autoritetit zyrtar (neni 353, paragrafi 1 i Kodit Penal); Shkelja e barazisë së qytetarëve (neni 137, paragrafi 1 dhe paragrafi 2 i Kodit Penal); Rrezikimi i sigurisë (neni 143, paragrafi 1 i Kodit Penal),” tha Aleksandar Sasha Dimitrijeviq.
Ai kërkoi që Prokuroria Publike të “veprojë menjëherë sipas kallëzimeve penale, të thërrasë Mickoskin për marrje në pyetje dhe të parandalojë rrezikimin e mëtejshëm të rendit ligjor.”

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër