Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja tha se Konispoli po hyn në fazë të re zhvillimi e cila do ta shndërrojë atë në një pol turistik dhe kulturor.
Programi Operacional 2026–2029 që do të zbatohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, do të ketë një investim prej 500 milionë lekësh, për projektin “Ndërhyrje të integruara për zhvillimin e ofertës turistike kulturore dhe agroturistike – Rajoni 4”. Ky projekt do të zhvillohet me bashkëpunimin e koordinuar institucional ndërmjet MTKS, Bashkisë Konispol, Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore dhe FSHZH.
Ndërhyrja përfshin krijimin e një kompleksi muzeal dhe zhvillimin e ofertës agroturistike në Konispol.
Ky investim synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë, por edhe transformimin e saj në një motor zhvillimi ekonomik dhe social për zonën, duke e kthyer Konispolin në një destinacion të rëndësishëm historik dhe komunitar.
Vitin e kaluar, me vendim të Këshillit të Ministrave, Konispoli është shpallur Ansambël Arkitektonik Urban me vlera të veçanta historike dhe kulturore.
