Tiranë, 20 prill Zhurnal.mk – Në njësinë administrative Bërzhitë, të bashkisë Tiranë përfundimi i “Urës së Bonarakëve” mbi lumin Erzen ka sjellë lehtësi në lëvizjen e banorëve.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga kjo urë që i shërben komunitetit të kësaj zone.
““Ura e Bonarakëve” që lidh lagjen e Bonarakëve me pjesën tjetër të fshatit Ibë e Poshtme, në Tiranë, ka lehtësuar lëvizjen për familjet, fëmijët dhe të moshuarit, duke sjellë më shumë siguri, akses dhe mundësi zhvillimi për komunitetin”, theksoi Rama.
Më herët ura në këtë fshat ka qenë e tipit pasarelë dhe përdorej nga banoret e zonës vetëm për lëvizjen e këmbësorëve. Ura e re ka korsi dhe trotuar, si dhe rreth 100 m rrugë lidhëse me trotuare, ndriçim dhe sinjalistikë.
Ndërtimi i urës së re solli lëvizje më të lehtë dhe më të shpejtë, kalim më të sigurt për këmbësorë dhe automjete, lidhje më të mirë me rrugët kryesore të zonës, si dhe një infrastrukturë më të rregullt me ndriçim dhe orientim më të mirë gjatë natës.
