Shkup, 22 prill, Zhurnal.mk – Kuvendi do të mbajë seancën e 98-të, në rendin e ditës së së cilës janë disa pika, ndër të cilat edhe propozim-ndryshimet në Ligjin për Qeverinë e Republikës së Maqedonisë, me procedurë të shkurtuar, me të cilat krijohen kushte për eliminimin e arsyeve objektive për të cilat ishte vendosur modeli i qeverisë kalimtare, përkatësisht teknike.
Zgjidhja e propozuar ligjore, me zbatim të shtyrë, siç thuhet në arsyetimin e propozuar nga Qeveria, synon të sigurojë stabilitet, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik të qytetarëve përmes përmbylljes së plotë dhe të qëndrueshme të reformave të nisura.
“Për shkak të nevojës për përdorim racional dhe të përgjegjshëm të financave publike, forcim të stabilitetit institucional dhe sigurim të legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si bartëse e pushtetit ekzekutiv e zgjedhur nga Kuvendi, me këtë propozim-ligj vendoset një kornizë e qartë dhe e zbatueshme juridike që do të garantojë zgjedhje të drejta dhe transparente përmes institucioneve të themeluara me Kushtetutë dhe ligje, si dhe do të eliminojë zgjidhjet e përkohshme të vendosura me marrëveshje politike në të kaluarën”, thuhet në arsyetimin e ligjit.
Në rendin e ditës është edhe propozim-vendimi për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për pjesëmarrje në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian “ALTHEA”, në Bosnje dhe Hercegovinë.
Para deputetëve janë edhe plani strategjik dhe financiar i Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimet Publike për vitin 2026, si dhe programi vjetor i punës së këtij komisioni për vitin 2026.
Në rend dite është edhe propozim-vendimi për shpalljen e një konkursi publik për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Si pikë e shtatë në rend dite është edhe Propozim-ligji për ndryshimin e Ligjit për kontrollin kufitar, në lexim të dytë, me të cilin, siç thuhet në arsyetim, “do të përmirësohet sistemi i sigurisë kufitare, funksionaliteti i sistemit kombëtar të menaxhimit të kufijve dhe do të vazhdojë përafrimi me Bashkimin Evropian dhe standardet në kuadër të procesit të përmbushjes së kritereve për anëtarësim në BE (Kapitulli 24).”
Në kuadër të seancës së 98-të, deputetët do të shqyrtojnë edhe: Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për sigurimin shëndetësor – në lexim të dytë; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mineralet, me procedurë të shkurtuar; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për koncesionet dhe partneritetin publiko-privat, me procedurë të shkurtuar; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, me procedurë të shkurtuar; Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për lundrimin e brendshëm, me procedurë të shkurtuar; Propozim-ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për tatimin mbi vlerën e shtuar, me procedurë të shkurtuar; si dhe Propozim-ligjin për ndryshimin e Ligjit për kontributet nga sigurimi i detyrueshëm social, me procedurë të shkurtuar.
