Bruksel, 2 maj Zhurnal.mk – Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, ka folur për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, duke thënë se perspektiva për zgjerim është më reale se më parë.
Nga një fjalim në universitetin e Friburgut në Zvicër, ajo u shpreh se për Shqipërinë dhe Malin e Zi nuk ka më dilema serioze dhe se afatet e anëtarësimit janë të arritshme, duke i cilësuar këto procese si shembull edhe për vendet e tjera të rajonit.
Sipas saj, ende ekziston skepticizëm në disa vende të Ballkanit Perëndimor, por zhvillimet e fundit tregojnë se rruga drejt BE-së është konkrete dhe jo më thjesht një mundësi teorike.
Ajo përmendi se Mali i Zi është vendi më i avancuar në proces, ndërsa Shqipëria vjen menjëherë pas tij, duke vlerësuar reformat e ndërmarra në të dy vendet.
Kos shtoi se për herë të parë pas shumë vitesh, BE-ja po punon për një traktat pranimi me një vend kandidat, gjë që sipas saj tregon se procesi i zgjerimit po ecën përpara dhe se reformat po japin rezultat.
Sipas objektivave aktuale, Mali i Zi synon anëtarësimin në vitin 2028, ndërsa Shqipëria synon përmbylljen e negociatave në 2027 dhe anëtarësimin rreth vitit 2030, që sipas Komisionit Europian janë objektiva të arritshme nëse reformat vazhdojnë.
