PE dhe KE arrijnë marrëveshje të përkohshme për IA

Nga D. V.
498 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 7 maj, Zhurnal.mk – Negociatorët e Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian arritën marrëveshje të përkohshme për të thjeshtuar dhe përmirësuar pjesë të rregullave të inteligjencës artificiale (IA) të bllokut, duke shtuar njëkohësisht masa të reja mbrojtëse kundër përmbajtjes abuzive të gjeneruar nga inteligjenca artificiale.

Ata ranë dakord për ndryshimet që lidhen me zbatimin e Aktit të IA-së të BE-së si pjesë e axhendës më të gjerë të thjeshtimit të bllokut, sipas një deklarate të këshillit të lëshuar sot. Marrëveshja do të vonojë, deri në 16 muaj, zbatimin e rregullave të caktuara për sistemet e IA-së me rrezik të lartë për të lejuar më shumë kohë për përgatitjen e standardeve dhe mjeteve teknike.

Sipas marrëveshjes, rregullat për sistemet e pavarura të IA-së me rrezik të lartë do të zbatohen nga 2 dhjetori 2027 ndërsa detyrimet për sistemet me rrezik të lartë të integruara në produkte do të fillojnë më 2 gusht 2028. Marrëveshja prezanton një ndalim të ri për praktikat e IA-së që përfshijnë krijimin e përmbajtjes seksuale dhe intime jokonsensuale ose materialeve të abuzimit seksual me fëmijë.

Rregullat e rishikuara do të zgjerojnë disa përjashtime rregullatore për kompanitë e vogla me kapitalizim të mesëm dhe do të shtyjnë afatin për sandbox-et rregullatore kombëtare të IA-së deri në gusht 2027. Ligjvënësit ranë dakord të shkurtojnë periudhën e hirit (mirësisë) për ofruesit për të zbatuar masa transparence për përmbajtjen e gjeneruar nga IA nga gjashtë muaj në tre muaj.

Marrëveshja e përkohshme tani duhet të miratohet nga Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian përpara se t’i nënshtrohet një rishikimi ligjor/gjuhësor me qëllim miratimin formal të aktit legjislativ nga bashkëligjvënësit në javët e ardhshme.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër