Konjufca thotë se dialogu me Serbinë duhet të përmbyllet me njohje të dyanshme

Nga B.M
471 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Bruksel, 11 Maj, Zhurnal.mk – Ministri i jashtëm i Kosovës në detyrë teknike, Gllauk Konjufca, tha sot se dialogu me Serbinë i ndërmjetësuar nga BE, do të duhej të përmbyllej me njohjte midis të dy vendeve.

“Sa i përket dialogut me Serbinë, Kosova ishte dhe do të jetë gjithherë  e përfshirë në mënyrë konstruktive në dialog, por dialogu ka nevojë që të përmbyllet me njohje të dyanshme,” tha ai në prag të një takimi të ministrave të jashtëm të vendeve aspiruese për hyrje në BE me homologët e 27 vendeve anëtare në Bruksel, raporton dtt-net.com, transmeton Zhurnak.mk.

Ai e përsëriti poashtu sot kërkesën që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.

Kosova e ka bërë kërkesën për anëtarësim në BE në Dhjetor 2022, por vendet anëtare nuk po e trajtojnë kërkesën e saj, për shkak të mos-njohjesë së pavarësisë së saj nga Greqia, Qiproja, Rumania, Sllovakia dhe Spanja.

Konjufca tha se Kosova megjithatë kërkon që vendet anëtare ta nisin këtë proces duke autorizuar Komisionin Evropian që t’ia dërgojë Kosovës pyetësorin si hap i parë në këtë proces.

“Le të fillojmë me duke pasur pyetësorin si hap i parë. Unë pres për rezultat pozitiv dhe konkret,” tha Konjufca.

Dialogu me Serbinë, ka shënuar një ngrirje që nga viti 2023, kur u arrit marrëveshja e cila në qendër të vëmendjes e ka formimin e një trupi autonom për dhjetë komunat me shumicë serbe.

BE kërkon që statusi i shkruar nga BE e i propozuar qeverisë së Albin Kurtit në Tetor të vitit 2023, të miratohet formalisht nga qeveria e tij e të dërgohet për shqyrtim në gjykatën Kushtetuese.

BE-ja po i bën presion Kurtit që të rifillojë negociatat në Bruksel me Kryetarin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për formimin e organit të quajtur “Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS)”.

Dërgimi i statusit të AKS-së në gjykatën kushtetuese është bërë edhe kusht i vendeve evropiane për anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Statuti i AKS-së i propozuar nga BE-ja është për kompetenca shtesë për dhjetë komuna me shumicë serbe në ekonomi, financa, urbanizëm, polici, arsim, kujdes shëndetësor dhe kulturë.

Shumë njerëz në Kosovë kanë frikë se nëse formohet AKS, vendi do të transformohet në një sistem të dytë të paralizuar si ai i Bosnjës, në baza etnike dhe në vija administrative etnike.

68,84 përqind e shqiptarëve të Kosovës thonë se janë të shqetësuar se AKS-ja do të çonte në “rritje të autonomisë për zonat me shumicë serbe dhe potencialisht do të destabilizonte Kosovën”, sipas anketës së paraqitur nga OJQ-ja lokale CASA vitin e kaluar.

Një tjetër anketë e vitit 2024 tha se 81% e qytetarëve të Kosovës janë kundër formimit të AKS-së.

Kurti më parë ka thënë se Beogradi duhet të përmbushë tre kushte që marrëveshja që ai arriti me Vuçiçin të mund të zbatohet, përkatësisht të formojë AKS-në.

Ai ka thënë se Serbia duhet të tërheqë letrën e shtatorit 2023, në të cilën Beogradi hedh poshtë pjesën e marrëveshjes së pafirmosur që i referohet njohjes së integritetit territorial të Kosovës dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare; ta dorëzojë Milan Radojçiçin – udhëheqësi e personave të armatosur të mbështetur nga Serbia që sulmuan policinë kosovare në shtator 2023 – dhe marrëveshjen ta nënshkruajnë të dyja palët. 

Vuçiç refuzon ta nënshkruajë marrëveshjen e refuzon që ta dorëzojë Radojçiçin tek autoritetet e Kosovës. BE-ja thotë se nuk ka nevojë për nënshkrim të marrëveshjes. / Zhurnal.mk 

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër