Shkup, 12 maj, Zhurnal.mk – Qeveria e re bullgare e udhëhequr nga ish-Kryetari Rumen Radev dje konfirmoi se nuk ka asnjë ndryshim qëndrimi të Sofjes në raport me Maqedoninë e Veriut.
Kushti i vendosur në korrik 2022 për ndryshim të Kushtetutës për të përfshirë komunitetin bullgar mbetet i pandryshuar.
Qëndrimet e ritheksuara dje në Bruksel nga Ministrja e Jashtme e re e Bullgarisë e lë procesin e integrimit evropian të Shkupit aty ku edhe ishte para formimit të qeverisë së Radevit: në pikën zero, duke i shuar kështu shpresat deklarative të krerëve të shtetit, shkruan Zhurnal.mk
Qëndrimi bullgar
Ministrja e re e Punëve të Jashtme, Velislava Petrova, e rikujtoi se ky kusht nuk është më një çështje dypalëshe, por pjesë e kornizës negociuese të BE-së, ashtu siç ishin pajtuar qeveria LSDM-BDI në njërën anë, e 27 vendet anëtare të BE-së në anën tjetër katër vite më parë.
Ajo theksoi se Bullgaria ka një konsensus të gjerë politik për këtë qëndrim, duke e paraqitur atë si një vijë të kuqe të pandryshueshme.
Kjo porosi të cilën ajo ia përcjelli ministrit të Jashtëm të RMV-së, Timço Mucunski, është një sinjal i qartë e i zëshëm se Sofja nuk ka ndërmend të lëshojë pe, pavarësisht ndryshimit të qeverisë.
Shkupi në “qorrsokak”
Nga ana tjetër, Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski dhe partia e tij VMRO-DPMNE refuzojnë që të japin votat e nevojshme për ndryshimet kushtetuese pa plotësimin e dy kundërkushteve: respektimin e të drejtave të komunitetit maqedonas në Bullgari dhe garanci zyrtare nga BE se nuk do të ketë kushte të reja mbi identitetin dhe gjuhën maqedonase.
Këto kërkesa të cilat Bullgaria nuk i pranon, e bëjnë të pamundur gjetjen e një kompromisi. Rezultati është një bllokim i cili do të vazhdojë.
“Ne të gjithë jemi për BE-në dhe të gjithë duam të jemi në BE, por jo me çdo çmim. Sepse nëse kjo do të ishte gjëja e parë, nuk ka problem, do të uleshim dhe do të bisedonim. Ky popull, dhe këta qytetarë dhe ky vend kanë dhënë shumë si askush tjetër dhe qytetarët janë të ngopur me këtë lloj politike, tani ose kurrë, dritarja është e hapur, tani është momenti”, pati deklaruar kryeministri, Hristijan Mickoski, në korrik të vitit 2025 në konferencë për media.
Kjo qasje tregon qartë edhe nivelin e vullnetit dhe energjisë për ta çuar përpara procesin. Një vit më vonë pothuajse, kryeministri deklarohet, të paktën deri para dy ditëve, për qytetarët se po angazhohet në këtë drejtim.
“Sa i përket zotit Radev, të nesërmen në mëngjes i telefonova, e urova dhe i dëshirova të kemi marrëdhënie të suksesshme fqinjësore dhe shpresoj që me këtë qeveri do të mund t’i përmirësojmë marrëdhëniet ndërfqinjësore dhe të flasim për temat për të cilat duhet të flasim”, tha Mickoski më 8 maj para gazetareve në një ngjarje publike.
Vazhdimi i këtij procesi?
Por “shpresat” e Mickoskit dhe bashkëpartiakëve të tij, u shuan dje nga Velislava Petrova.
Pa një palë të tretë që të ndërhyjë, bllokimi duket i destinuar që të zgjasë pa kufi.
Për Shkupin, kjo është një kthim në pikën zero, e një realitet ku entuziazmi për integrimin evropian përplaset me murin e kushtit bullgar dhe kundërkushteve maqedonase.
Situata e tashme e bënë Maqedoninë e Veriut të ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, meqë ndryshimi i kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë pa u bërë ky ndryshim.
Meqë Bullgaria nuk po lëshon pe ndaj kundër-kushteve të VMRO-DPMNE, e me numrin e tashëm të votave të saj në kuvend, vazhdimi i rrugës për në BE mbetet i pamundur, e më këtë rrugëtimi i vendit tash ndalet në pushim të gjatë e të panjohur në kohëzgjatje. / Zhurnal.mk
