Tiranë, 11 maj, Zhurnal.mk – Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha gjatë vizitës në Bruksel, zhvilloi një takim edhe me homologen suedeze Maria Stenergard, në kuadër të takimit të Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së (FAC).
Në një postim në rrjetin social X, Hopxha theksoi se në takim u rikonfirmuan edhe një herë marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Shqipërisë dhe Suedisë edhe në cilësinë si aleatë në NATO.
Gjithashtu, shtoi ministri, u shkëmbyen pikëpamje mbi prioritetet e përbashkëta, përfshirë zgjerimin e BE-së, sigurinë rajonale, bashkëpunimin euroatlantik dhe mënyrat për të forcuar e thelluar më tej partneritetin tonë dypalësh.
Hoxha shprehu vlerësimin e thellë të Shqipërisë për mbështetjen afatgjatë të Suedisë, përfshirë përmes Agjencisë Suedeze për Bashkëpunim Ndërkombëtar për Zhvillim (SIDA), si dhe për përkrahjen e saj parimore dhe të qëndrueshme ndaj rrugëtimit të Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE.
“Suedia mbetet një partner shumë i çmuar në mbështetje të agjendës sonë të reformave, shtetit të së drejtës, konsolidimit demokratik dhe së ardhmes sonë evropiane”, nënvizoi Hoxha.
Në takim u diskutua gjithashtu rëndësia e bashkëpunimit më të ngushtë për përballimin e sfidave të përbashkëta, forcimin e qëndrueshmërisë, promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm dhe avancimin e stabilitetit dhe prosperitetit në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Në pritje të takimit ministror të NATO-s, që do të zhvillohet më 21-22 maj në Helsingborg, Hoxha theksoi se u rikonfirmua rëndësia e ruajtjes së mbështetjes së palëkundur për Ukrainën dhe kauzën e saj të drejtë, duke vijuar njëkohësisht të punojmë së bashku për një Evropë më të fortë, më të sigurt dhe më të bashkuar.
