Nis kursi për gradën “Zjarrfikës”, trajnim për efektivët e MZSH-së nga 12 bashki

Nga D. V.
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 11 maj, Zhurnal.mk – Akademia e Sigurisë nisi sot zhvillimin e trajnimit “Kurs për Gradën Zjarrfikës”, me pjesëmarrjen e efektivëve të strukturave vendore të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit nga disa bashki të vendit.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, kursi do të zhvillohet në periudhën 11–22 maj dhe synon rritjen e kapaciteteve profesionale të shërbimit zjarrfikës.

Në trajnim marrin pjesë efektivë nga bashkitë Tiranë, Kamëz, Vorë, Dropull, Rrogozhinë, Pustec, Këlcyrë, Memaliaj, Tropojë, Durrës, Cërrik dhe Dimal.

Kursi synon forcimin e njohurive teorike dhe aftësive praktike të personelit zjarrfikës, me fokus rritjen e eficiencës në përballimin e emergjencave, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, pronës dhe mjedisit.

Sipas Ministrisë së Brendshme, në prag të sezonit veror, përgatitja profesionale dhe rritja e standardeve operacionale të strukturave zjarrfikëse mbeten prioritet për garantimin e sigurisë publike dhe reagimin në kohë ndaj situatave emergjente.

Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se fitimi i gradës “Zjarrfikës” ndikon edhe në përmirësimin e trajtimit financiar të efektivëve pjesëmarrës.

Në ceremoninë hapëse të kursit morën pjesë zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Xhemal Qefalia, si dhe drejtori i përgjithshëm i MZSH-së, Arben Cara.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër