Konjufca takon Sorensenin: Dialogu me Serbinë duhet të përfundojë me njohje reciproke

Nga D. V.
629 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 12 maj Zhurnal.mk – Ministrit i Jashtëm në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se ka zhvilluar një takim me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, në Ambasadën e Kosovës në Bruksel.

Konjufca tha se gjatë takimit është diskutuar për avancimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Në një diskutim të strukturuar për avancimin e dialogut të normalizimit me Serbinë, së bashku me kryenegociatorin tonë Agron Bajrami, riafirmuam se Republika e Kosovës mbetet plotësisht e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive”, ka shkruar Konjufca.

Ai theksoi se qëllimi i Kosovës mbetet përmbyllja e procesit të dialogut përmes njohjes së ndërsjellë.

“Qëllimi ynë i qartë është përfundimi i procesit përmes njohjes reciproke”, shtoi Konjufca në reagimin e tij.

Konjufca dje ka deklaruar se problemi kyç në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë është “goditja në mirëbesim”, që sipas tij, i ka dhënë Beogradi, duke shtuar se nuk pret ndonjë nismë për takime të reja gjatë këtij viti.

Konjufca, duke folur për gazetarë në Bruksel, ku mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, tha se dy sulmet në Kosovë, ai në Banjskë më 2023 dhe ai në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024 dëmtuam mirëbesimin në procesin e normalizimit të raporteve, që ka nisur më 2011 dhe që ndërmjetësohet nga BE-ja.

Kurse, përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, konfirmoi se ciklet e shpeshta zgjedhore në Kosovë janë arsyeja kryesore përse prej kohësh nuk ka pasur një rund të ri dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel liderësh.

Ajo u tha gazetarëve se ka gatishmëri si nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ashtu edhe nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, për një takim në kuadër të dialogut, por se shpallja e zgjedhjeve të reja të parakohshme në Kosovë e ka shtyrë sërish procesin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër