Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka konsideruar alarmues vendimin e Komisionit të Pavarur të Mediave për të licencuar Radio Policinë si radio shtetërore, në formën e transmetimit eksperimental.
Përmes një reagimi publik, AGK thotë se krijimin e një radioje të drejtuar nga Policia e sheh si përpjekje të institucioneve ligjzbatuese për t’i përcjellë publikut informacione të njëanshme pa iu nënshtruar shqyrtimit kritik nga mediat.
“Gazetarët dhe mediat duhet të kenë mundësi të bëjnë pyetje, të sfidojnë qëndrimet e Policisë dhe ta mbajnë atë përgjegjëse për punën e saj, përmes kanaleve të hapura dhe të pavarura të komunikimit. Duke pasur parasysh se sektori i sigurisë udhëhiqet nga ministra dhe zëvendësministra të Lëvizjes Vetëvendosje, konsiderojmë se ekziston rrezik real që kjo media shtetërore të keqpërdoret për përhapjen e narrativave partiake”.
“Licenca është dhënë nga KPM-ja, anëtarët e së cilës janë përzgjedhur përmes një procesi të komprometuar, në të cilin Lëvizja Vetëvendosje kishte paracaktuar kandidatët e saj të preferuar. E konsiderojmë këtë vendim vazhdimësi të një qasjeje të KPM-së që favorizon pushtetin në dëm të informimit në interes publik”, thuhet në njoftim.
AGK thotë se shpreson që ky vendim të kundërshtohet përmes rrugëve ligjore dhe që Radio Policia të mos bëhet funksionale.
Në të njëjtën kohë, Asociacioni i ka bërë thirrje KPM-së që të vendosë interesin e qytetarëve përpara interesave partiake apo qeveritare.
“AGK-ja e çmon bashkëpunimin tradicionalisht të mirë të Policisë me gazetarët dhe mediat. Megjithatë, nuk e sheh këtë nismë si një hap që i shërben ruajtjes dhe forcimit të këtij bashkëpunimi”.
