Prishtinë, 14 tetor, Zhurnal.mk – Qeveria e Kosovës ka miratuar themelimin e një grupi punues për hartimin e strategjisë shtetërore për mbështetjen juridike, institucionale dhe diplomatike të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të cilët po përballen me procedurat e Apelit në Dhomat e Specializuara në Hagë.
Kryeministri Albin Kurti deklaroi se Qeveria e konsideron të padrejtë, si nga aspekti juridik, ashtu edhe nga ai moral, aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai theksoi se synimi është që, përmes mjeteve në dispozicion, të punohet për korrigjimin e tij në shkallën e dytë.
Sipas Kurtit, për këtë qëllim është e nevojshme një strategji shtetërore dhe kombëtare që tejkalon dallimet partiake dhe bashkon institucionet rreth një objektivi të përbashkët.
“Aktgjykimin e shkallës së parë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e konsiderojmë të padrejtë juridikisht dhe moralisht, me pasaktësi faktike dhe historike, prandaj edhe punojmë që të bëhet korrigjimi i tij në shkallën e Apelit”, tha Kurti.
Ai bëri të ditur se grupi punues do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca. Në përbërjen e tij do të ketë përfaqësues të institucioneve dhe të Kuvendit të Kosovës.
“Me këtë vendim po e konkretizojmë zotimin tonë që, me mjetet të cilat i kemi në dispozicion, të angazhohemi për drejtësi dhe për mbrojtjen e të vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, u shpreh Kurti.
Pas mbledhjes së Qeverisë, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, tha se aktualisht nuk mund të përcaktohet një afat i saktë për përfundimin e strategjisë, pasi procesi varet nga disa faktorë.
Megjithatë, ai vlerësoi se është e rëndësishme që puna të nisë sa më shpejt, duke theksuar nevojën që dokumenti të hartohet me kujdes dhe pa gabime që mund të shkaktohen nga ngutja.
Hoti u deklarua edhe për projektligjin që parasheh ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Ai shprehu rezerva nëse ndryshimet e propozuara do të garantojnë mbrojtjen e nevojshme për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Sipas tij, Qeveria shpreson që partia sponsorizuese e projektligjit të jetë konsultuar paraprakisht me akterët e tjerë dhe me ekipet e mbrojtjes në procedurat e Apelit.
“Ne nuk jemi shumë të bindur për këtë projektligj, por po shpresojmë që partia që e ka sponsorizuar projektligjin është konsultuar me akterët tjerë dhe me Apelin. Nuk jam shumë i bindur për projektligjin që do të bëjë ndryshimet e nevojshme që të kenë një mbrojtje të duhur udhëheqësit tanë të UÇK-së që janë në Hagë”, tha Hoti në një konferencë për media.
Duke komentuar reagimet e Bashkimit Evropian ndaj ndryshimeve të propozuara, Hoti tha se ato ishin të pritshme, pasi, sipas tij, Kushtetuta e Kosovës parasheh konsultime paraprake me BE-në për ndryshime të tilla ligjore.
“Një gjë e tillë, sa e dimë ne, nuk është se ka ndodhur gjatë hartimit të një projektligji që është hartuar për dy apo tri ditë”, deklaroi ai.
Kuvendi i Kosovës, më 6 tetor 2026, miratoi Ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Votimi u zhvillua në ditën kur skadonte afati për zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.
Po atë ditë, Kuvendi zgjodhi Justina Shiroka-Pulën presidente të Kosovës, me 81 vota.
Me këto zhvillime përfundoi edhe protesta 21-netëshe, e organizuar pas dënimit të katër ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale.
Ndërkohë, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka kritikuar ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke vlerësuar se ato bien ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.
Duke folur më 12 tetor 2026, para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Luksemburg, Kos i cilësoi ndryshimet si të papranueshme, veçanërisht në një kohë kur proceset gjyqësore janë ende në zhvillim.
“Dua të jem e qartë se ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara në Kosovë bien ndesh me detyrimet themelore të Kosovës ndaj BE-së. Kjo është e papranueshme”, deklaroi ajo.
Kos theksoi se ndryshimi i rregullave ligjore gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore bie ndesh me standardet ndërkombëtare të sundimit të ligjit.
“Mesazhi im është shumë i thjeshtë. Zgjerimi evropian po ecën përpara. Nëse vendet kandidate bëjnë hapa prapa, ato nuk janë në rrugën e duhur dhe nuk do të mund të bëhen anëtare të BE-së”, tha komisionarja evropiane.
Ligji për Dhomat e Specializuara pritet t’i përcillet presidentes së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, për shpallje.
