Tiranë, 12 maj Zhurnal.mk – Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste kritikoi opozitën se po lutet që Shqipëria të dështojë në procesin e integrimit në BE, por theksoi se sfida kryesore e qeverisë dhe Kuvendit është t’i rrijë strikte afateve të vendosura dhe që në Krishtlindjet e vitit 2027 të mbylleshin negociatat dhe në vitin 2029 të kishin kandidatë për eurodeputetë.
Deputeti foli gjatë seancës dëgjimore të Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, që u mbajt me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatore, Majlinda Dhuka, për raportin e qeverisë për procesin e integrimit në BE.
“Gjejeni veten dhe thoni bujrum, jepe një votë, po them po jap një votë, po e vë një tullë. Thuaj po jap edhe unë një dorë, e të thoni që kam kontribuar edhe unë në anëtarësimin e BE-së, ju dashamirësit apo dashnorët e Bashkimit Evropian. Ndaj i referohem vlerësimeve që vijnë nga kryekomisionerja Marta Kos. Ajo thotë se Shqipëria është shembulli më i mirë transformues. Mali i Zi i ka nisur bisedimet në qershor të vitit 2012, edhe atij që i shërben ti, që është deputet i atij që ishte atëherë, i atij që i mban çantën, e vlerëson procesin (i drejtohet një prej deputetëve të PD). Por edhe presidenca daneze e vlerëson progresin shumë mbresëlënës. Ata e vlerësojnë procesin e integrimit të mirë”, tha Balla.
Ai akuzoi kundërshtarët se punojnë për të mos u integruar Shqipëria në BE, por shtoi se vendi do ishte pjesë e familjes evropiane dhe madje duhet të përgatiteshin për kandidatët për eurodeputetë në zgjedhjet e vitit 2029.
“Ka nga ata që thonë e luten që Shqipëria të dështojë. Shqipëria duhet të jetë dhe do jetë anëtare e BE-së. Ne duhet të nisim përgatitjen që të ketë kandidatët e vetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Raporteri Schider e konsideroi Shqipërinë si vendi me i avancuar, pararojë nëse do i referohesha fjalës fiks, lokomotivë nëse e doni, se pashë pasthirrma pas fjalës time. Ka rregull parlamentar në Britani, kur deputeti që bën pyetjen nuk ndodhet në sallë, ministri nuk i përgjigjet asaj pyetje. Duro mo djalë…! Dhe rregulli është për të gjithë Parlamenti, pra nëse deputeti nuk është në sallë, ministri nuk është i detyruar të përgjigjet”, përfundoi deputeti socialist.
