Tiranë, 13 maj Zhurnal.mk – Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi deklaroi se Qeveria mori sot vendimin për të subvencionuar të gjitha shoqatat e transportit publik me 50 lekë për litër naftë, kjo si pasojë e rritjes së çmimit të karburantit.
Pas mbledhjes së Qeverisë, në komunikimin me gazetarët, ministri Karakaçi bëri të ditur se kjo masë parashikohet si kompensim për operatorët e transportit qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas.
“Në mbledhjen e Qeverisë kaluam disa akte të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Një akt i rëndësishëm është ai i marrë në kuadër të masave subvencionuese që Qeveria shqiptare ka ndërmarrë në kohën e krizës së hidrokarbureve për transportin qytetas, ndërqytetas dhe rrethqytetas”, deklaroi ai.
Karakaçi kujtoi se rreth një muaj më parë ishte zhvilluar një takim me shoqatat e transportit, përfaqësues të bashkisë dhe Ministrisë së Ekonomisë, ku u diskutuan problematikat e sektorit.
“Në atë kohë dhamë fjalën se do të kishte një masë subvencionuese dhe tashmë ajo është miratuar. Bëhet fjalë për një kompensim në masën 50 lekë për litër për të gjitha shoqëritë e transportit publik”, tha Karakaçi.
Sipas tij, subvencionimi do të nisë me efekt që nga muaji mars, periudhë kur filluan edhe efektet e krizës së çmimeve të karburanteve.
“Një lajm i mirë tjetër është se këtë masë subvencionuese do ta fillojmë që prej muajit mars, kur nisën efektet e krizës. Në këtë kuptim kemi përmbushur një angazhim sipas dakordësive me grupet e interesit”, u shpreh Karakaçi.
