Uashington, 13 maj Zhurnal.mk – Presidenti amerikan, Donald Trump pritet t’i bëjë presion presidentit kinez, Xi Jinping për të përmirësuar kushtet për kompanitë amerikane gjatë vizitës së tij shumë të rëndësishme në Pekin, duke deklaruar se prioriteti i tij kryesor do të jetë hapja e Kinës për bizneset amerikane.
Në një postim në platformën e tij Truth Social gjatë udhëtimit me ”Air Force One” drejt Kinës, presidenti Trump tha se kjo do të ishte kërkesa e tij “e parë” në bisedimet me Xi, të cilin e përshkroi si një lider me “cilësi të jashtëzakonshme”.
Ai shtoi se drejtuesit e kompanive amerikane janë “njerëz brilantë” që mund ta ndihmojnë Kinën të arrijë “një nivel edhe më të lartë”.
Trump po udhëton drejt Kinës i shoqëruar nga një delegacion i nivelit të lartë biznesi, ku bëjnë pjesë drejtues të kompanive si “Nvidia”, “Tesla”, “Apple” dhe “Boeing” përfshirë Jensen Huang, Elon Musk, Tim Cook dhe Kelly Ortberg.
Përpara mbërritjes së Trump në Pekin sot në mbrëmje, negociatorët kryesorë të të dy vendeve zhvilluan bisedime për tregtinë dhe ekonominë.
Zëvendëskryeministri kinez He Lifeng dhe sekretari amerikan i Thesarit Scott Bessent u takuan në Incheon pranë Seulit.
Agjencia shtetërore kineze Xinhua i përshkroi diskutimet disaorëshe si “të sinqerta” dhe “konstruktive”, duke bërë të ditur se palët diskutuan edhe për bashkëpunimin dypalësh.
Ndërkohë, Ministria e Jashtme e Kinës mirëpriti vizitën e Trump, ndërsa zëdhënësi Guo Jiakun deklaroi se Trump dhe Xi do të diskutojnë çështje kyçe të marrëdhënieve SHBA-Kinë, si dhe “paqen botërore”.
Vizita konsiderohet një provë e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Përveç tregtisë dhe aksesit në treg, pritet që diskutimet të përfshijnë kontrollet mbi eksportet e teknologjisë, konfliktin me Iranin dhe çështjen e Tajvanit.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, presidenti Trump do të marrë pjesë nesër në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes dhe në bisedimet dypalëshe me Xi. Më pas, të dy liderët pritet të vizitojnë së bashku Tempullin e Qiellit në Pekin, një vend i mbrojtur nga UNESCO, dhe të marrin pjesë në një banket shtetëror.
Para largimit të tij të premten, Trump pritet të zhvillojë edhe një takim tjetër me Xi gjatë një çaji në mëngjes, për të vijuar diskutimet. Takimi i fundit ballë për ballë mes Trump dhe Xi ishte në tetor në Korenë e Jugut, ku ata ranë dakord të ndalonin përkohësisht përshkallëzimin e luftës tregtare.
