Tribunë / Dhuna në familje mbetet sfidë serioze shoqërore dhe institucionale

Nga B.M
697 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – Dhuna në familje paraqet një problem serioz shoqëror dhe shëndetësor që kërkon përgjigje të koordinuar institucionale, besim më të madh në sistem dhe zbatim efikas të Strategjisë Kombëtare, porositën pjesëmarrësit në tribunën me temë “Lufta kundër dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave si sfidë sociale: përgjigje institucionale, psikosociale dhe vlerore”. Ata theksuan se viktimat vazhdojnë të përballen me frikë, mosbesim dhe pasoja afatgjata psikologjike, për çka mbeten kyçe parandalimi, mbrojtja në kohë dhe forcimi i vetëdijes publike, përcjell Zhurnal.mk.

Deputetja nga VMRO-DPMNE, Emilija Angelova, në tribunën e organizuar nga Forumi i Grave i Partia Socialiste e Maqedonisë, kushtuar luftës kundër dhunës, deklaroi se Strategjia Kombëtare për parandalim dhe mbrojtje nga dhuna me bazë gjinore dhe dhuna në familje paraqet dokument kyç që përcakton drejtimin, por suksesi i saj do të varet nga implementimi efikas.

Ajo theksoi se strategjia për periudhën 2026–2033 sjell qasje të sistematizuar përmes planeve aksionale dhe vjetore, me tri qëllime kryesore: avancimin e politikave dhe grumbullimin e të dhënave, parandalimin e dhunës dhe sigurimin e një sistemi efektiv të mbrojtjes dhe mbështetjes për viktimat. Sipas saj, dhuna në familje nuk duhet të trajtohet si problem privat, por si shkelje serioze e të drejtave të njeriut, që kërkon përgjigje të përbashkët dhe të vazhdueshme institucionale dhe shoqërore.

Sfidë kryesore, siç tha ajo, mbetet zbatimi i strategjisë, për të cilin nevojiten institucione funksionale, staf i trajnuar, reagim i shpejtë, koordinim dhe mbështetje e mjaftueshme financiare, por edhe vullnet politik dhe shoqëror.

Deputetja theksoi se shumë gra vazhdojnë të heshtin për shkak të frikës, varësisë ekonomike dhe mosbesimit në sistem, duke nënvizuar se është e domosdoshme të ndërtohet besim dhe viktimat të marrin mbrojtje dhe mbështetje në kohë.

Kryetarja e Forumit të Grave të Partisë Socialiste të Maqedonisë, Zorica Jankullovska, theksoi se dhuna nuk duhet të trajtohet vetëm si problem institucional, por edhe si problem i thellë shoqëror.

Sipas saj, dhuna nuk kufizohet vetëm në lëndime fizike, por përfshin edhe ofendime, kontroll, frikë dhe heshtje, ndërsa heshtja, siç tha ajo, është aleati më i fuqishëm i saj.

Jankullovska e theksoi rolin e grave në shoqëri dhe politikë si kyç në përballjen me këtë dukuri, duke potencuar se gratë duhet të jenë bartëse të dukshme dhe aktive të ndryshimeve, e jo vetëm të përfaqësuara formalisht.

Shumë gra, shtoi ajo, ende nuk raportojnë dhunën për shkak të frikës, varësisë ekonomike ose mosbesimit në sistem, ndërsa theksoi se figurat publike kanë obligim të dërgojnë mesazhe të qarta se dhuna është e papranueshme.

Ajo porositi se është e nevojshme të ndërtohet një shoqëri në të cilën viktimat do të marrin mbështetje në vend të gjykimit dhe ku dhuna do të njihet dhe parandalohet në kohë.

Sipas psikiatres prof. dr. Slavica Arsova, pasojat tek gratë viktima të dhunës janë afatgjata dhe shpesh manifestohen përmes çrregullimit kompleks post-traumatik të stresit.

Ajo theksoi se shëndeti mendor i grave është veçanërisht i ndjeshëm në periudha të caktuara jetësore, si adoleshenca, shtatzënia dhe periudha pas lindjes, si dhe perimenopauza, ndërsa rrezik shtesë paraqesin përvojat traumatike, përfshirë dhunën.

Arsova theksoi se dhuna në familje zakonisht zgjat me vite dhe ka forma të ndryshme – verbale, fizike, seksuale dhe ekonomike, duke lënë pasoja serioze psikologjike tek viktimat, si frikë e vazhdueshme, ndjenjë pasigurie, faj dhe mosbesim.

Sipas saj, pikërisht këto gjendje shpesh i pengojnë viktimat të kërkojnë ndihmë ose të flasin hapur, gjë që e vështirëson më tej njohjen dhe trajtimin e tyre nga institucionet dhe punonjësit shëndetësorë.

Ajo paralajmëroi për rritje të numrit të rasteve në praktikë, duke theksuar se kohët e fundit gjithnjë e më shumë gra dhe fëmijë kërkojnë ndihmë për shkak të ekspozimit ndaj dhunës.

Arsova theksoi se trajtimi i viktimave kërkon qasje multidisiplinare, që përfshin terapi farmakologjike, psikoterapi dhe punë në grupe mbështetëse, me përfshirjen e psikiatërve, psikologëve dhe punonjësve socialë.

Ajo shtoi se mbrojtja e shëndetit mendor të grave është kyçe për gjithë shoqërinë, duke theksuar se një shoqëri e shëndetshme nënkupton kujdes për shëndetin e nënave dhe fëmijëve, si bazë për zhvillim dhe stabilitet të duhur.

Ngjarja kishte për qëllim të nxisë debat profesional, institucional dhe shoqëror për avancimin e mekanizmave të mbrojtjes, parandalimit dhe mbështetjes në përballjen me dhunën në familje, si dhe për forcimin e kulturës së përgjegjësisë, solidaritetit dhe dinjitetit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër