Shkup, 19 Maj, Zhurnal.mk – Përplasjet midis partive në pushtet dhe atyre në opozitë për rastin “Mazut” kanë vazhduar edhe sot, me VMRO-DPMNE që akuzon LSDM-në e BDI-në të kenë ndikuar tek prokurorët Katerina Kolareviç e Islam Abazi për ta mbyllur çështjen e 167 milionë euro të prokurimit të naftës në TC Negotinë, e partitë opozitare me kundër-akuza se është partia në pushtet ajo që po bënë presion ndaj krye-prokurorit Nenad Savevski për të rihapur lëndën, shkruan Zhurnal.mk.
“[Katerina] Kolareviç dhe Abazi qëndruan me vendosmëri në mbrojtje të krimit të zyrtarëve të SDS-së dhe BDI-së të quajtur “Mazut” me vlerë 167 milionë euro, dhe ata amnistuan Vasko Kovaçevskin, Asmir Jahoskin, Adrian Muçën, Ratko Kapushevskin dhe Erxhan Sulkovskin pa i çuar në gjyq,” akuzoi sot përsëri partia e Hristijan Mickoskit, për të bërë ftesë përsëri për “një hetim urgjent, i pavarur dhe i plotë për të gjitha aspektet” e rastit “Mazut”, si dhe llogaridhënie për “këdo që mund të ketë keqpërdorur” me pozicionin e tij.
“Qytetarët meritojnë drejtësi, jo marrëveshje politike dhe heshtje institucionale,” tha VMRO-DPMNE sot në një komunikatë.
Ditë më parë LSDM e akuzoi Mickoskin pse kishte thirrur përmes telefonit krye-prokurorin e ri Nenad Savevski për rastin në fjalë.
Bisedën e Mickoskit me Savevskin, LSDM-ja e trajtoi si “ndërhyrje direkte” të kryeministrit në punën e prokurorisë dhe e quan atë “skandal”.
Ndërkohë që VMRO-DPMNE kërkoi dorëheqjen e Abazit, LSDM-ja ka kërkuar dorëheqjen e Savevskit.
BDI-ja po ashtu ka reaguar sot me akuza ndaj VMRO-DPMNE-së, përkatësisht deputetit të saj Antonio Miloskoski dhe e akuzoi partinë në pushtet për “presion dhe terror skandaloz e brutal” ndaj prokurorisë.
“Fushata e përjavshme dhe e përditshme me kërcënime, terror dhe presion ndaj prokurorisë nga i forti me avion privat, Antonio Milloshoski, është skandaloze dhe e ngjashme me Korenë e Veriut,” tha BDI-ja sot në një komunikatë.
“Milloshoski, i njohur për parullat “shqiptar i vdekur, shqiptar i mirë”, “dhoma gazi për shqiptarët”, për porositë e vendimeve gjyqësore, hetimeve, bastisjeve dhe lustrimeve, dhe i cili shpëtoi falë ndryshimeve në Kodin Penal, nuk ka kredibilitet moral, politik e as juridik të flasë për drejtësi,” tha partia e Ali Ahmetit.
Kjo parti tha se “tashmë e ka informuar të gjithë opinionin vendor dhe ndërkombëtar, ambasadat dhe organizatat, për këtë presion politik të paprecedent ndaj drejtësisë.”
“Në vend që të tregojnë guxim, të vendosen mbi situatën dhe të pranojnë vendimet juridike, ata luajnë rolin e Temu-prokurorëve, ndonëse nuk e kanë lexuar as raportin e Entit Shtetëror të Revizionit e as vendimin e Prokurorisë. Enti Shtetëror i Revizionit nuk ka asnjë ekspertizë për vlerësim teknik, por VMRO-ja vazhdimisht e mashtron opinionin publik. Përkundrazi, Prokuroria ka siguruar ekspertiza të posaçme si për cilësinë, ashtu edhe për dëmin,” tha BDI-ja. / Zhurnal.mk
