Nxori inerte në zonën e mbrojtur në Vjosë, prokuroria e Fierit dërgon për gjykim kompaninë dhe administratorin

Nga D. V.
301 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 maj, Zhurnal.mk – Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq subjektin “P V” sh.p.k., si dhe administratorin e saj, shtetasin B. A. nën akuzë për kryerjen e veprës penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.

Sipas prokurorisë, nga hetimet u provua kryerja e veprimtarisë të paligjshme, e cila konsistonte në marrjen, nxjerrjen, përpunimin dhe transportimin e inerteve përgjatë lumit Vjosë, veprime këto që kishin sjellë si pasojë dëmtimin e habitatit natyror të zonës së mbrojtur mjedisore me status të veçantë “Park Natyror”. Zona ku janë marrë inertet është nën zonë qendrore, që gëzon shkallën më të lartë të mbrojtjes (zonë strikte) në të cilën nuk lejohet zhvillimi i asnjë lloj veprimtarie ekonomike.

Prokuroria e Fierit bëri me dije se provoi se shoqëria “P V” sh.p.k., ka shkaktuar përkeqësim të rëndë të habitatit që ndodhet brenda zonës së mbrojtur mjedisore, duke sjellë si pasojë dëmtim të konsiderueshëm të saj, përmes shfrytëzimit të tokës me teknologji intensive, mjete dhe mënyra që shkaktojnë ndryshime rrënjësore në biodiversitet, në strukturën dhe funksionet e ekosistemeve, si dhe që dëmtojnë në mënyrë të pandreqshme sipërfaqen e tokës përgjatë lumit Vjosë.

Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, gjykata deklaroi fajtor personin juridik, shoqërinë “P V” sh.p.k., si dhe administratorin e saj, shtetasin B. A., për kryerjen e veprës penale “Dëmtimi i habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”.

Prokuroria Fier mbetet e angazhuar të hetimet me fokus të veçantë në luftën kundër veprave penale mjedisore, duke ndjekur me përparësi çdo rast që cenon mjedisin, biodiversitetin dhe zonat e mbrojtura natyrore.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër