Avokati i Popullit: 5 burgje duhen mbyllur, 56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim

Nga D. V.
565 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 19 maj, Zhurnal.mk – Avokati i Popullit, Endrit Shabani kërkoi mbylljen e 5 burgjeve pasi sipas tij, cenojnë dinjitetin njerëzor, konkretisht burgu i Burrelit, Kosovë-Lushnjë, Kukësit, “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313).

Sipas Avokatit të Popullit, në Lezhë, mbipopullimi i burgjeve arrin 65%, 181 të burgosur mbi kapacitetin e planifikuar.

Ndërsa të paraburgosurit, sipas Avokatit të Popullit, kalojnë mesatarisht më shumë se 8 muaj në qeli pa qenë të dënuar, konkretisht 253 ditë mesatarja e qëndrimit në paraburgim.

Gjithashtu, Avokati i Popullit ka konstatuar se trajtimi i personave të privuar nga liria në pesë institucione penitenciare të vendit afrohet me standardin e trajtimit degradues.

Në një njoftim për mediet, Avokati i Popullit, theksoi se kjo është një shkelje flagrante e Kushtetutës dhe e detyrimeve ndërkombëtare të Shqipërisë.

Avokati i Popullit njofton se gjetjet bazohen në inspektime në 18 IEVP gjatë vitit 2025 dhe në 115 raste ankesash të trajtuara nga institucioni.

“Kur shteti i mban të dënuarit në kushte degraduese, nuk po i ndëshkon, por po i poshtëron. Mbyllja e këtyre pesë institucioneve është detyrim kushtetues,”, tha Avokati i Popullit, Endrit Shabani.

Sipas Avokatit të Popullit “në shumicën e institucioneve, të dënuarit dhe të paraburgosurit i mbajnë rrobat dhe sendet personale në qese plastike, sepse nuk ka dollapë. Mjeku është prezent vetëm katër orë në ditë. Spitalet rajonale shpesh refuzojnë trajtimin e të burgosurve për “arsye sigurie”. Për personat me probleme të shëndetit mendor nuk ekziston asnjë institucion i specializuar mjekësor, megjithëse ata aktualisht mbahen në IEVP-në e Shën Kollit”.

Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit ka trajtuar 115 raste të paraqitura nga të burgosur dhe familjarët e tyre.

“Mbipopullimi, i lokalizuar, jo kombëtar. Në total, sistemi penitenciar është nën kapacitet (5.029 të burgosur dhe 5.747 vende gjithsej = 87%). Por shpërndarja është thellësisht e pabarabartë: IEVP Lezhë: +65% (181 persona mbi kapacitet); IEVP “Jordan Misja”: +11% (55 persona); IEVP Vlorë: +10% (16 persona); IEVP Fushë-Krujë: +2,4% (9 persona)”, njoftoi Avokati i Popullit.

Më tej sipas të dhënave të publikuara nga Avokati i Popullit, 56,8% e popullsisë penitenciare janë në paraburgim, pra mbahen në burg megjithëse ende janë të padënuar.

“Ky është një tregues që cenon parimin e prezumimit të pafajësisë”, thekson Avokati i Popullit.

Sipas Avokatit të Popullit, “inspektimet kanë konstatuar se ambiente të amortizuara, pa ajrim, ndriçim apo ngrohje të mjaftueshme, të burgosur që mbajnë sendet personale në qese plastike sepse nuk ka dollapë, mungesë e produkteve bazë të higjienës dhe detergjentëve për pastrimin e qelive, sisteme ngrohjeje e ftohjeje jofunksionale, sidomos në mot ekstrem, mungesë larmishmërie dhe sasie të pamjaftueshme në ushqim, mundësi të kufizuara për aktivitete social-kulturore dhe rehabilitim”.

Sa i përket kujdesit shëndetësor, Avokati i Popullit thekson se nuk ka shërbim të vazhdueshëm

“Asnjë mjek me kohë të plotë në shumicën e IEVP-ve. Aty ku ka mjek, qëndrojnë vetëm 4 orë në ditë. Mungesë autoambulancash dhe vështirësi për konsulta me specialistë. Spitalet rajonale refuzojnë trajtimin për “arsye sigurie”. Mungesë e shërbimit stomatologjik dhe e medikamenteve bazë. Asnjë institucion i specializuar për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor”, njofton Avokati i Popullit.

Avokati i Popullit i kërkon Qeverisë dhe Ministrisë së Drejtësisë rishqyrtim të politikës së paraburgimit.

“56,8% të padënuar është një shifër e papranueshme në një shtet që pretendon respektimin e prezumimit të pafajësisë. Plan të menjëhershëm për kujdesin shëndetësor në burgje, përfshirë ngritjen e një institucioni të specializuar mjekësor për të burgosurit me probleme të shëndetit mendor. Mbyllje të pesë IEVP-ve të identifikuara deri në rikonstruktimin e plotë të tyre, dhe një rivlerësim kombëtar të kapaciteteve të sistemit penitenciar”, tha Avokati i Popullit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër