Shkup, 22 Maj, Zhurnal.mk – Partia opozitare maqedonase social-demokrate ditëve të fundit i ka shpeshtuar thirrjet ndaj qeverisë së Hristijan Mickoskit dhe partisë së tij për të bërë ndryshimet kushtetutese për të mundësuar vazhdimin e rrugës për në Bashkimin Evropian, shkruan Zhurnal.mk.
Dje ishte kryetari i LSDM-së Venko filipçe të ketë bërë këtë thirrje. Sot vazhdoi zëdhësja e partisë, Bogdanka Kuzeska.
“Maqedonia po përballet me një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen e saj. Në një kohë kur Bashkimi Evropian e ka rihapur procesin e zgjerimit si një përparësi kryesore gjeostrategjike, Maqedonia nuk duhet të mbetet në anë të rrugës. Nëse e humbasim këtë shans për anëtarësim të plotë në BE, rrezikojmë të bëhemi apendiksi i Ballkanit,” tha ajo në një konferencë për shtyp.
Ajo e tha këtë duke përkujtuar ecjen para të Malit të Zi dhe Shqipërisë në procesin e bisedimeve për anëtarësim në BE.
“Ky është një moment historik që Maqedonia nuk duhet ta humbasë. Nëse nuk hipim në këtë tren evropian tani, dyert mund të mbeten të mbyllura për dekada të tëra,” tha Kuzeska.
“Të rinjtë do të paguajnë çmimin më të madh. Të rinjtë do të vazhdojnë të largohen nga vendi, dhe Maqedonia do të mbetet e bllokuar në izolim, pa perspektivë dhe pa zhvillim, me pagat më të ulëta dhe standardin më të ulët të jetesës në Evropë. Të rinjtë janë të zhgënjyer, nuk kanë kohë për të humbur dhe nuk u besojnë fjalëve, kanë nevojë për veprime, kanë nevojë për një ndryshim në sistem,” shtoi ajo, për të ritheksuar thirrjen ndaj Mickoskit për të bërë ndryshimet kushtetuese.
“Le të votojmë së bashku për ndryshimet kushtetuese. Jemi të gatshëm të ndajmë plotësisht përgjegjësinë për këtë proces, siç kanë bërë të gjitha partitë politike në vendet që negociuan me sukses dhe u bënë anëtare të Bashkimit Evropian,” tha ajo.
Sipas zëdhënëses së LSDM-së “dentiteti, gjuha dhe kultura maqedonase “janë të mbrojtura dhe nuk kërcënohen në asnjë mënyrë.”
“Ne po negociojmë me BE-në, jo me Bullgarinë, pakicat janë një çështje evropiane. Mickoski nuk duhet ta përdorë dokumentin jo-publik të Merz si alibi dhe justifikim shtesë për të mos ndërmarrë hapat e mëtejshëm, të cilët, siç theksojnë të gjithë, nuk mund të ndryshohen. Merz nuk po thotë se reformat nuk janë të nevojshme – përkundrazi, ky propozim është vetëm një mesazh që duhet t’i motivojë vendet kandidate të punojnë më shpejt dhe më me efikasitet,” tha ajo për mendimet e kryeministrit gjerman Friedrich Merz.
“LSDM nuk pajtohet me propozimin për anëtarësim të asociuar pa anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Ne kërkojmë anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian. Le t’i përfshijmë pakicat në kushtetutë, le të votojmë për amendamentet kushtetuese, për të ardhmen e të rinjve dhe të ardhmen e vendit. Minoritetet në Kushtetutë tani. Evropa tani!,” tha Kuzeska. / Zhurnal.mk
