Shkup, 23 maj, Zhurnal.mk – Ministria e Transportit kërkon falje nga LSDM-ja për akuzat e sotme lidhur me tenderin për autobusët elektrikë, ndërsa në të kundërtën paralajmëron padi për shpifje.
Në reagim, Ministria i vlerëson pretendimet e LSDM-së si të pabaza dhe publikon katër ofertat për tenderin që u anulua.
– Edhe pse tenderi dështoi, në interes të publikut dëshirojmë t’i publikojmë ofertat dhe arsyet për refuzimin e secilës prej tyre. Janë pranuar katër oferta nga ofertuesit.
Kompania kineze “Actrus” me autobusët “King Long” në vlerë prej 50 milionë e 700 mijë euro pa TVSH, konsorciumi hungarezo-austriak “Elektrobus Ikarus-EVN” në vlerë prej 50 milionë e 600 mijë euro pa TVSH, kompania kineze “Zhong Tong” në vlerë prej 50 milionë e 600 mijë euro pa TVSH dhe kompania turke “BMC” në vlerë prej 59 milionë e 200 mijë euro pa TVSH. Çmimet individuale për autobus pa karikues janë: Elektrobus/Ikarus – 314 mijë euro, Actrus/King Long – 324 mijë euro, Zhong Tong – 327 mijë euro dhe BMC – 385 mijë euro. Nga kjo vërehet se të gjitha çmimet janë përafërsisht të njëjta, përkatësisht nuk ekziston dallim prej 12 milionë eurosh, thuhet nga Ministria e Transportit.
Sipas Ministrisë, tri kompani nuk i kanë përmbushur kushtet për përzgjedhje, përkatësisht kompania “Actrus/King Long” nuk ka dorëzuar garanci valide bankare, “Zhong Tong” po ashtu ka pasur garanci bankare jo valide, ndërsa kompania “BMC” nuk ka dorëzuar fare garanci bankare dhe nuk i ka përmbushur kushtet teknike.
Tek “Elektrobus Ikarus-EVN”, Komisioni i shkallës së dytë për ankesa në prokurimet publike ka konstatuar se marrëveshja për bashkëpunim ndërmjet “Ikarus” dhe “EVN” ishte nënshkruar në letër, por jo edhe elektronikisht, dhe për këtë arsye e ka anuluar tenderin.
LSDM-ja opozitare sot akuzoi se tenderi për furnizimin me 150 autobusë elektrikë dështoi për shkak se VMRO-DPMNE-ja në pushtet ka favorizuar një kompani që kishte dhënë ofertë më të lartë.
