VLEN: Ka nisur lufta kundër kredive të shpejta abuzive dhe kumarit

Nga B.M
530 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 24 maj, Zhurnal.mk – Në një komunikat për media, VLEN ka përshëndetur vendimin e institucioneve shtetërore për t’ia hequr licencën subjektit financiar “Credi Yes” dhe për mbylljen e 40 filialeve të tij, duke e cilësuar këtë si fillim të një lufte serioze kundër abuzimeve financiare dhe dukurive që, sipas tyre, dëmtojnë qytetarët.

Në reagimin e tyre, nga VLEN theksojnë se kanë premtuar se do të jenë në vijën e parë të luftës kundër fenomeneve si kumari, kreditë e shpejta abuzive dhe format tjera të shfrytëzimit financiar të qytetarëve.

“Sot po dëshmohet se ky zotim nuk ka qenë vetëm premtim politik, por angazhim real për mbrojtjen e interesit publik”, thuhet në reagim.

Sipas VLEN-it, institucionet duhet të funksionojnë në shërbim të qytetarëve dhe jo të grupeve që përfitojnë nga vështirësitë ekonomike të tyre.

Nga VLEN vlerësojnë se veprimi i fundit i Ministrisë së Financave dëshmon se shteti më në fund po ndërmerr masa konkrete kundër praktikave që për vite me radhë kanë dëmtuar qytetarët, veçanërisht familjet me të ardhura të ulëta.

“Praktikat e tilla i kanë futur qytetarët në cikël borxhesh, pasigurie financiare dhe varësie ekonomike”, thuhet më tej në reagim.

VLEN shton se do të vazhdojë të mbështesë çdo reformë dhe masë ligjore që garanton transparencë, mbrojtje të konsumatorit dhe siguri financiare për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër