Siguria e ndërtimeve dhe sfidat urbanistike, ekspertët: Mbikëqyrje gjatë ndërtimit të objekteve

Nga Xh M
452 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 25 maj Zhurnal.mk – Siguria e ndërtesave në raste tërmetesh dhe vërshimesh mbetet një nga çështjet më të rëndësishme në zhvillimin urban, sidomos në qytete me ndërtime të dendura dhe infrastrukturë të ngarkuar.

Arkitektët dhe ekspertët e fushës vlerësojnë se planifikimi urban, respektimi i standardeve të ndërtimit dhe mbikëqyrja profesionale janë faktorë kyç për mbrojtjen e qytetarëve dhe funksionimin normal të qyteteve në raste fatkeqësish natyrore.

“Plani urbanistik luan rol kyç në sigurinë e qyteteve. Ndërtimet duhet të bëhen sipas planifikimit të mirëfilltë urban, duke respektuar hapësirat publike, infrastrukturën, distancën ndërmjet objekteve dhe standardet mjedisore. Zhvillimi i qyteteve nuk duhet të jetë vetëm estetik, por mbi të gjitha duhet të jetë funksional dhe i sigurt për qytetarët. Në raste fatkeqësie është shumë e rëndësishme që projekti të bëhet sipas standardeve, me konstruksion të fortë dhe mbikëqyrje profesionale. Ndërsa në rastet ku zonat janë të rrezikuara nga vërshimet, atëherë duhet të rregullohen kanalizimet që të mos ketë lëvizje të objekteve.” – tha arkitekti, Tasim Etem.

Ekspertët theksojnë se përveç planifikimit urban, rëndësi të veçantë ka edhe kontrolli gjatë realizimit të objekteve, pasi çdo shmangie nga standardet mund të ndikojë drejtpërdrejt në sigurinë e banorëve.

Sipas tyre, ndërtimet moderne ofrojnë më shumë siguri sesa më herët, por vetëm nëse respektohen kriteret profesionale dhe përdoren materiale cilësore.

“Sipas ligjit duhet të ketë mbikëqyrje për çdo objekt që ndërtohet. Unë, te objektet që i njoh, pa mbikëqyrje nuk punohet, sepse shumë është dallimi i vogël për të kursyer diçka dhe tash nuk ia vlen për pak të rrezikohet jeta e qytetarëve. Ndërtimet moderne janë shumë më të sigurta tash sesa më herët, sepse projektohen qysh në fillim si të sigurta, por në raste të tilla gjithçka duhet të jetë sipas standardeve, sepse gjithçka jashtë standardeve është e rrezikuar. Besoj se me zhvillimin bëhet gjithçka më mirë dhe më sigurt. Muret nuk kanë shumë rëndësi, konstruksioni duhet të jetë i sigurt, shtyllat, betoni, armatura – ato duhet të jenë të sigurta.” – u shpreh Etem.

Megjithatë, urbanistët vlerësojnë se shumë komuna në Shkup tashmë janë të mbingarkuara me ndërtime dhe mungesë të hapësirave funksionale, çka e bën edhe më të domosdoshëm planifikimin afatgjatë urban, zgjerimin e infrastrukturës dhe krijimin e kushteve më të sigurta për qytetarët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër