Nju Delhi, 26 maj, Zhurnal.mk – Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten të gatshme të ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, pasi Moska paralajmëroi sulme të reja kundër Kievit.
Kërcënimi rus, i cili përfshin edhe një thirrje që diplomatët e huaj të largohen nga kryeqyteti ukrainas, përbën një përshkallëzim të ri të luftës që ka hyrë në vitin e pestë. Moska paralajmëroi sulme “sistematike” ndaj Kievit, përfshirë objektiva që i cilëson si “qendra vendimmarrëse”.
Komentet e Rubios erdhën pas sulmeve të fuqishme ruse gjatë fundjavës, ku u përdor edhe raketa hipersonike “Oreshnik”, si dhe pas një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov.
“Sa herë që shohim sulme të mëdha nga njëra palë apo tjetra, kjo na kujton pse kjo është një luftë e tmerrshme që tashmë ka zgjatur më shumë se Lufta e Dytë Botërore dhe pse duhet të marrë fund”. u tha Rubio gazetarëve gjatë vizitës së tij në Indi.
“SHBA-ja është e gatshme të bëjë gjithçka që mundet për të lehtësuar përfundimin e kësaj lufte dhe shpresojmë që një mundësi e tillë të paraqitet”, shtoi ai.
Breshëria e sulmeve ruse gjatë fundjavës, me dhjetëra dronë dhe raketa, la të paktën katër të vrarë dhe shkaktoi dëme të mëdha në Kiev.
]Sipas Moskës, raketa hipersonike “Oreshnik” mund të udhëtojë me shpejtësi deri në 10 herë më të madhe se ajo e zërit dhe është e aftë të mbajë edhe koka bërthamore.
Sulmet pasuan akuzat ruse se Ukraina goditi një shkollë profesionale në rajonin e pushtuar të Lugansk, ku thuhet se humbën jetën 21 persona. Pas kësaj, presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi ushtrinë të kundërpërgjigjej.
Ministria e Jashtme ruse njoftoi se forcat e armatosura ruse kanë nisur “sulme sistematike ndaj objekteve të industrisë ushtarake ukrainase në Kiev”, duke shtuar se objektiv do të jenë edhe qendrat e komandës dhe vendimmarrjes.
Moska paralajmëroi gjithashtu qytetarët e huaj, përfshirë personelin diplomatik dhe organizatat ndërkombëtare, që të largohen nga qyteti sa më shpejt të jetë e mundur.
Sipas Rusisë, Lavrov ia përcolli këtë paralajmërim Rubios gjatë një bisede telefonike, duke i kërkuar evakuimin e diplomatëve amerikanë. Rubio sqaroi se njoftimi rus u ishte dërguar të gjitha ambasadave në Kiev dhe jo vetëm misionit amerikan.
Ambasadat perëndimore refuzojnë të largohen
Paralajmërime të ngjashme Rusia kishte bërë edhe më herët këtë muaj, kur kërcënoi me sulme masive ndaj qendrës së Kievit në rast se Ukraina do të pengonte paradën ushtarake në Sheshin e Kuq.
Megjithatë, misionet diplomatike perëndimore kanë refuzuar të largohen. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme franceze deklaroi se “Jemi mësuar me kërcënimet e Putinit. Nuk bëhet fjalë për evakuim”.
“Ne nuk po shkojmë askund”, shkroi në rrjetet sociale ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kiev.
Nga ana e saj, Ukraina i cilësoi kërcënimet ruse si “retorikë” dhe u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë të mos i nënshtrohen, sipas ministrit të Jashtëm ukrainas Andriy Sybiga.
Lufta nisi me ofensivën e gjerë ruse kundër Ukrainës në shkurt 2022 dhe është shndërruar në konfliktin më vdekjeprurës në Evropë që nga Lufta e Dytë[ Botërore. Përpjekjet e ndërmjetësuara nga SHBA-ja për arritjen e një armëpushimi kanë ngecur muajt e fundit, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është zhvendosur pjesërisht drejt krizës në Lindjen e Mesme.
